Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja “likuidon” Gramshin që në pjesën e parë

Lezhjanët fitojnë thellë në fushën e tyre ndaj gramshiotëve, duke shënuar 3 herë në 45 minutat e para. Besëlidhja Gramshi 4 - 0
Dëshira lezhjane për të shënuar sa më shpejt shpaloset qysh në fillim, kur loja zhvendoset në gjysmëfushën mike dhe goli nuk vonon. Në të 12-tën, mjeshtri lezhjan i goditjeve të dënimit, Gruda, ekzekuton një të tillë nga 18 metra, duke e kaluar topin mbi murin gramshiot dhe direkt ne rrjetën e Imeraliajt. Goli e ndez lojën, teksa miqtë nga Gramshi tentojnë dy herë të godasin portën e Bahollit me Trashin, por portieri lezhjan reagon bukur. Vendësit nuk heqin dorë për asnjë moment nga loja sulmuese dhe brenda tri minutash shënojnë dy gola, njëri më i bukur se tjetri, me anë të Gegës e Rizvanollit.

Golat vërtet janë meritë e sulmuesve, por edhe pasojë e pakujdesisë dhe e vendosjes së gabuar të mbrojtjes gramshiote. Miqtë, nga dëshira për të shënuar, lënë hapësira në prapavijë. Madje, edhe në disavantazh të tre golave, vazhdojnë të sulmojnë, duke këmbëngulur për të shënuar të paktën një gol. Rustemi depërton bukur në zonë, por gabon në goditje, kur ishte afër Bahollit dhe i kishte të gjitha mundësitë ta ndëshkonte portierin lezhjan. Besëlidhja është pranë golit të 4-t në minutën e 35-të, kur mbrojtësi Alcani galopon gjatë dhe shërben në hyrje të zonës për Gegën, i cili ia rikthen topin kapitenit, që godet bukur me kokë, por topi kalon ngjitur me trekëndëshin e sipërm të portës.

Pjesa e dytë fillon me një rast të pastër për miqtë. Lezi godet dhe topi ndalet me këmbë nga portieri Baholli. Sulmojnë dhe kundërsulmojnë të dy ekipet, sikur ndeshja të ishte barazim. Luhet hapur dhe krijohen shumë raste, që shpërdorohen, siç është ai i Rizvanollit. Me dëshirën për të realizuar një gol të “madh”, i vetëm përballë portës, godet jashtë. Rizvanolli korrigjon gjithçka në të 85-tën, kur është gjendur në kohën e vendin e duhur dhe topin e kthyer nga portieri mik e ka dërguar në rrjetë.

Deklarojnë…
Alban Bruka, trajner i Besëlidhjes: “Jam shumë i knaqur nga loja dhe rezultati. Ishte një ndeshje e interpretuar në mënyrën më të mirë nga futbollistët e mi. Jemi në rrugë të mbarë për të realizuar objektivin.”

Edmond Hida, trajner i Gramshit: “Ishte një ndeshje për t’u harruar. Kam vetëm dy ditë që e drejtoj ekipin dhe kisha shumë mungesa, por edhe lojtarë që u dëmtuan. Kam rezerva për gjykimin. Jam shumë i kënaqur nga loja dhe qëndrimi i futbollistëve vendas në fushë, si dhe nga tifozëria lezhjane.”

Ndeshjet e javës së 6-të (24.10.10)
Lushnja - Bilisht Sport
Ada - Besëlidhja
Luftëtari - Pogradeci
Burreli - Tomori
Mamurrasi - Tërbuni
Partizani - Vlora
Gramshi - Gramozi
Kamza - Apolonia

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top