Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Gola dhe spektakël në Lezhë, por nuk ka fitues

Lezhjanët kaluan dy herë në avantazh, por nuk arritën ta ruanin rezultatin deri në fund.
Besëlidhja e ka filluar lojën në mënyrën më të mirë, teksa në minutën e 2-të ka shënuar golin më të bukur që kanë parë tifozët lezhjanë në këtë kampionat. Haxhia ka depërtuar nga e djathta, ka krosuar në zonë dhe aty Gega shërben saktë për Mahon, i cili godet fluturimthi dhe topi pushon në rrjetë. Bukuria e golit ka qenë aksioni me një takim si dhe gjuajtja e fortë dhe e befasishme e Mahos. Goli i vë në lëvizje miqtë nga Kamza, të cilët lëshohen në gjysmëfushën lezhjane, në kërkim të barazimit, që e arrijnë pas 9 minutash. Pas ekzekutimit të një goditjeje këndi nga Kapaj, Tafaj përfiton nga hutimi i mbrojtësve të Besëlidhjes, duke shënuar nga një metër larg vijës fatale.

Por vetëm 50 sekonda zgjat ky barazim, pasi Gega e kalon Besëlidhjen në avantazh me një goditje të saktë të topit me kokë. Golat e zbukurojnë lojën dhe skuadrat hapen, duke sulmuar dhe kundërsulmuar në portat respektive. Humbasin raste të pastra, si vendësit ashtu dhe miqtë. Madje, Malo është kampioni i shpërdorimeve, kur në një rast, pasi shmang edhe portierin, nuk shënon në portën e boshatisur, sepse më i shpejtë është mbrojtësi Noka, që e ndal topin pak cm para vijës fatale.

Me tre gola të shënuar dhe me largimin e mjekut të Kamzës nga gjyqtari Latifi mbyllet pjesa e parë. Ka qenë një lojë vërtet e bukur e interpretuar në mënyrën më të mirë nga të dy ekipet, që ka lënë një shije shumë të mirë te shikuesit e shumtë vendës, por edhe të ardhur nga Kamza. Pjesa e dytë fillon me golin e barazimit të shënuar nga Malo, pas një gabimi të mbrojtësve lezhjanë dhe nuhatjes mjeshtërore të sulmuesit mik. Këmbëngulin lezhjanët për t’u vënë përsëri në udhëheqje të rezultatit, por Likmeta, Tafaj e Kapaj janë në lartësinë e detyrës, duke bllokuar çdo manovër sulmuese të vendësve.

Në këtë pjesë loje futbollistët miq shfaqen më të freskët fizikisht, janë të vendosur mirë në fushë dhe dallohen për luftë sportive e qartësi taktike. Ndërsa lezhjanët janë të pasaktë në pasim dhe topi humbet fare thjesht nga këmbët e tyre. Me kalimin e minutave shtohen përpjekjet e Besëlidhjes për të shënuar, por përballet me një mbrojtje të kujddesshme. Por rastin më të mirë për të shënuar e ka Dalipi 3 minuta para përfundimit të ndeshjes, kur gabon në goditje i vetëm përballë Bahollit. Ndeshja mbyllet 2 2, duke qenë rezultati më i drejtë për atë që dhanë futbollistët në fushë.

Thanë pas ndeshjes

Alban Bruka, trajner i Besëlidhjes: “Ishte një barazim i merituar. Ne kaluam dy herë në avantazh, por nuk mundëm ta ruanim. Megjithëse lamë dy pikë në shtëpi, do të synojmë ta realizojmë objektivin tonë. Për dy-tre futbollistë që nuk dhanë atë që presim, do të bëhet një analizë.”
Eduard Zhupa, trajner i Kamzës: “Ishte një ndeshje e vështirë, ashtu siç e kishim parashikuar. Ekipi tregoi shpirt gare dhe luftoi deri në fund për fitore. E filluam keq lojën, duke pësuar gol, por arritëm të barazonim, madje duhej të kishim fituar.

Besëlidhja - Kamza 2 2
Besëlidhja: Baholli, Noka, Alcani, Prela, Haxhia (Muça 80′), Shyti (Halili 46′), Koçi, Pustina, Maho, Rizvanolli (Kulli 84′) Gega. Trajner: A.Bruka.
Kamza: Mustafa, Likmeta, F.Tafaj, Kapaj, Ndoni, Deliallisi, Ishka (Allamani 76′), Capa (Çerepi 55′), E.Tafaj, Malo (Baze 84′), Dalipi. Trajner: E.Zhupa.
Shenues: Maho 2′, Gega 12′ / F.Tafaj 11′, Malo 55′
Gjyqtarë: T. Latifi, A. Goxhaj, R. Zhuli (Gjirokastër)
Karton i verdhë: Ishka

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top