Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja “qan” dy pikët e lëna në Gjirokastër

Lezhjanët e kanë pasur në dorë ta fitonin ndeshjen, por, si gjithmonë, kanë çaluar në sulm.
Besëlidhja ka barazuar pa gola në Gjirokastër, një rezultat i mirë në dukje, por lezhjanët nuk janë shumë të gëzuar, sepse pretendonin 3 pikët. Në fakt, ata e kanë kërkuar fitoren dhe kanë qenë pranë saj, por nuk arritën të finalizonina asnjë rats. Trajneri Alban Bruka pohon se skuadra e tij ka qenë superiore gjatë gjithë ndeshjes. Sipas tij, Besëlidhja ka çaluar në sulm, pasi asnjëri prej 5 lojtarëve të këtij reparti, Rizvanolli, Gega, Haxhia, Maho dhe Kulli, nuk ka mundur të shënojnë të paktën një gol. Eshtë një problem i hershëm për lezhjanët, për të cilët gjuajtjet brenda kuadratit kanë qenë të pakta në Gjirokastër, ashtu si në shumë ndeshje të mëparshme. Sulmuesi Ermal Gega, në njëfarë mënyre, ka rezerva për vendosjen e skuadrës në fushë.

Ai është shprehur se lezhjanët kanë luajtur me 4 mbrojtës, ndërkohë që Luftëtari shumë pak e ka ngacmuar portën e Besëlidhjes. Pas dy pikëve të lëna në Gjirokastër, lezhjanët mbeten larg objektivit të tyre, edhe pse kampionati ka edhe shumë ndeshje për të luajtur. Për të përmirësuar gjendjen natyrisht që duhet shtuar puna në stërvitje.

E vërteta është se Besëlidhja, gjatë gjithë ndeshjeve të deritanishme ka shfaqur mangësi në aspektin fizik, prandaj dhe lojërat e saj nuk janë ngjitur në nivelin e kërkuar, duke ndikuar rrjedhimisht në rezultate. Kështu, futbollistët lezhjanë do të jenë të detyruar të marrin ngarkesa më të mëdha në stërvitje, pasi presidenti Noka dhe stafi teknik nuk mund të pranojnë asnjë gabim në ndeshjet e mbetura të fazës së parë.

Në këto 5 ndeshje, 3 prej të cilave do të luhen në transfertë, Besëlidhja do ta ketë shumë të vështirë të grumbullojë pikët e mjaftueshme për të mos e thelluar diferencën me rivalët. Gjithsesi, rritja e ngarkesës në stërvitje, si dhe karikimi i lojtarëve në këto 5 sfida, konsiderohen masa të mjaftueshme për të marrë maksimumin e pikëve. 

Burimi: Sporti Shqiptar

Back To Top