Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja synon edhe 12 pikë për fazën e parë

Edhe pse 3 nga 4 ndeshjet e mbetura i kanë jashtë fushe, lezhjanët pretendojnë maksimumin. Besëlidhja ka fituar thellë me Bilisht Sportin dhe tani mund të thuhet se është në garë për superligën. Ndeshja e fundit ka treguar supremacinë e lezhjanëve, që kanë shënuar 4 herë dhe mund të fitonim më thellë, nëse do t’i kishin shfrytëzuar më mirë rastet e krijuara. Besëlidhja nuk ka pasur në formacion kapitenin Alcani dhe Muçën, por këto mungesa nuk janë ndierë, sepse Shala dhe Rustja e kanë bërë më së miri detyrën.

Trajneri i Besëlidhjes, Alban Bruka, ndryshe nga herët e tjera, me bilishtarët ka rreshtuar një mbrojtje me 4 lojtarë, kurse Maho ka kaluar në sulm, pasi më parë ishte aktivizuar si mesfushor. Titullar në sulm ka qenë edhe Gega, ndërsa Rizvanolli nuk është aktivizuar as si zëvendësues. Ndoshta rezervat që kanë drejtuesit e Besëlidhjes në lidhje me formën e paraqitur nga Rizavanolli kanë ndikuar në atë vendim të stafit teknik.

Në fakt, sulmuesi kryeqytetas nuk ka dhënë atë që pritej në Lezhë. Gjithsesi, Besëlidhja ka bërë më të mirën në ndeshjen e fundit dhe të tri repartet kanë funksionuar shumë mirë. Ka rënë në sy forma e mirë e sulmit me Mahon dhe Gegën, të dy shënues dhe problematikë për mbrojtjen kundërshtare. Gjithsesi, drejtuesit e Besëlidhjes pohojnë se skuadra ka bërë thjesht detyrën dhe tani duhet të konfirmojë pretendimet e saj, duke kaluar me sukses 4 ndeshjet e mbetura të fazës së parë, edhe pse ato janë shumë të vështira, sepse tri prej tyre zhvillohen në transfertë.

Presidenti Gjokë Noka pret 12 pikë nga të tijtë, megjithëse është e qartë se ky objektiv është shumë i vështirë të arrihet. Mbrojtësi me mjaft përvojë i lezhjanëve, Henri Ndreka, për “Sportin shqiptar” shprehet: “Kërkesa për t’i fituar të gjitha ndeshjet e mbetura është normale, edhe pse qëndron fakti se vështirësitë janë të mëdha, sidomos kur luan jashtë fushe.

Personalisht, i druhem vetëm gjykimit, sepse me gjendjen që ka Besëlidhja, mendoj se mund t’ia arrijë qëllimit dhe mund ta mbyllë fazën e parë si një pretendente serioze.” Me nota mjaft optimiste lezhjanët kanë nisur dje përgatitjet për transfertën e Vlorës.

Burimi: Sporti Shqiptar

Back To Top