Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Akte vandale në Mamurras mbas përfundimit të takimit

Presidenti i Mamurrasit, Dedë Ndreca, qëllon me grushte dy gjyqtarët e ndeshjes me Besëlidhjen. Me të mbaruar loja, fusha është kthyer në një tapet grushti, ku kapiteni i Mamurrasit, Dedë Ndreca, njëkohësisht edhe president i ekipit dhe kryebashkiak, ka qëlluar me grushte gjyqtarin kryesor, Labian Mustafarajn, i cili i ka zgjatur dorën dhe ka marrë “shpërblimin”. Pasi ka grushtuar në fytyrë tri herë gjyqtarin kryesor, Ndreca nuk është ndalur, duke iu sulur edhe anësorit Bledar Mesi, i cili, edhe pse ka vrapuar për t’iu shmangur, nuk ka mundur t’u shpëtojë goditjeve të tij, disa herë në kokë.

Kur Ndreca ka qëlluar me grushte Mustafarajn, policia ka qenë e papërgatitur, kurse në rastin e Mesit ndërhyrja e saj ka qenë shumë e ngadaltë. Më pas gjyqtarët janë shoqëruar në dhomat e zhveshjes, nën një tension të vazhdueshëm.

Ndreca ka akuzuar se një ditë më parë gjyqtarët ishin nga Fieri, por u ndërruan dhe erdhi një treshe nga Tirana. “Kanë qenë këta gjyqtarë që edhe në takimet e tjera e kanë ndëshkuar Mamurrasin. Kjo ka qenë arsyeja që më bëri ta humbas durimin.

E di, kam gabuar, kur kisha mundësi ta mbyllja në mënyrën më të mirë futbollin, por tashmë, kur i analizoj gjërat, është shumë vonë,” - tha Ndreca. Policia e Kurbinit u ka kërkuar gjyqtarëve të takimit, që sipas rregullores, të kryenin edhe denoncimin, por ata nuk kanë pranuar.

Ndërkohë, gjyqtarët janë marrë nga presidenti i Laçit, Pashk Laska, në makinën e tij, duke i larguar nga Mamurrasi për të shmangur çdo incident tjetër.

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top