Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Alcani: Besëlidhja, e suksesshme në fushë të mirë

Kapiteni Alert Alcani mendon se kushtet e stadiumit të Vlorës e favorizojnë skuadrën lezhjane. Ndeshja me Vlorën pritet me mjaft interes nga lezhjanët, për të cilët bën punë vetëm fitorja. Në fakt, te Besëlidhja kanë mendimin se shtyrja e ndeshjes është në disfavor të tyre për vetë faktin se përgatitjet janë bërë të plota dhe motivimi i lojtarëve mund të bjerë. Gjithsesi, stërvitja e lezhjanëve vazhdon me seriozitet dhe të gjithë futbollistët janë të gatshëm për Vlorën. Shqetësimi i vetëm ka qenë Ndreka, por mbrojtësi shtatlartë duket se e ka ka kaluar një dëmtim të lehtë që kishte pësuar. Stafi teknik i Besëlidhjes ka qenë i detyruar të punojë në salla force ditët e fundit, ndërsa gjatë kësaj jave pritet të përdoret fusha e stadiumit apo dhe aneksi.

Ndeshja me Vlorën konsiderohet vendimtare nga lezhjanët, të cilët janë të detyruar të fitojnë për të mbetur në garë për superligën. Sipas futbollistëve të Besëlidhjes, as barazimi nuk hyn në punë në këtë moment. Pa dyshim që marrja e 3 pikëve në Vlorë do të kishte ndikim mjaft pozitiv edhe, për më tej, kur dihet që ndeshjet bëhen gjithmonë e më të vështira. “Stadiumi “Flamurtari” është shumë komod dhe ne kemi dhënë prova se, kur luajmë në fushë të mirë, jemi të suksesshëm. Mendoj se kështu do të ndodhë edhe në ndeshjen me Vlorën,” - thekson kapiteni i Besëlidhjes, Alert Alcani, i cili vlerëson faktin se ambienti në ndeshjen e radhës do të jetë shumë paqësor:

“Kam bindjen se atje do të gjejmë një ambient shumë mikpritës, pasi historikisht vlonjatët dhe lezhjanët kanë pasur marrëdhënie shumë të mira, si dhe kanë këmbyer futbollistë. Nuk e njohim shumë kundërshtarin, por kjo nuk do të thotë asgjë. Besëlidhja ka nevojë për pikë dhe detyra jonë është të luajmë vetëm për fitore,” - përfundon Alcani, mbrojtësi me përvojë i formacionit lezhjan. Besëlidhjen e presin dy transferta radhazi, pasi javën tjetër ata shkojnë në Pukë për të luajtur me Tërbunin, por në radhët e skuadrës ekziston besimi për t’i fituar të dyja këto sfida të vështira. 

Burimi: Sporti Shqiptar

Back To Top