Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Bruka: Besëlidhja të ruhet nga vetja

Lezhjanët po ecin me “marsh të 5-të”, ndërsa trajneri Alban Bruka i druhet vetëm euforisë.  Besëlidhja e ka filluar dhe po e vazhdon suksesshëm fazën e dytë, duke i fituar të tri ndeshjet e zhvilluara deri tani. Skuadra lezhjane ka marrë pikët maksimale në këto javë të para të fazës së dytë, si asnjë tjetër nga kategoria e parë. Dhe fitoret e Besëlidhjes peshojnë, pasi dy janë siguruar në transfertë (me Apoloninë e Partizanin).  Puna e presidentit Gjokë Noka për ta përforcuar skuadrën në merkaton dimrore ka dhënë rezultate shumë të mira. Ai vazhdon t’i qëndrojë afër Besëlidhjes çdo ditë, duke i plotësuar çdo nevojë në procesin stërvitor dhe jashtë tij.

Por edhe stafi teknik e futbollistët ia kanë shpërblyer në mënyren më të mirë, duke marrë maksimumin në çdo ndeshje të luajtur deri tani. Gjithsesi, drejtuesit lezhjanë dëshirojnë të qëndrojnë me këmbë në tokë, pasi, megjithëse kanë fituar 9 pikë në tri ndeshjet e para të 2011-ës, vetëm sa kanë trokitur në zonën e superligës dhe ende nuk janë futur brenda saj.

Vërtet që Besëlidhja aktualisht është një kanditaturë potenciale për superligën, por që kjo të arrihet kërkohet përqendrim maksimal dhe vazhdimësi. Lezhjanët, përveçse e kanë filluar shumë mirë këtë fazë, kanë edhe një avantazh tjetër të rëndësishëm, pasi kanë 8 ndeshje brenda dhe 7 jashtë (dy i ka zhvilluar deri tani).

Dhe vërtet që lezhjanët nuk e kanë luksin për të qenë euforikë, por rreziku ekziston, pasi edhe pas fitores në Fier, megjithëse ata fituan në Lezhë me Gramozin, nuk bindën në lojë. Për këtë arsye, drejtuesit dhe stafi teknik po i qëndrojnë afër skuadrës çdo ditë për ta përgatitur për ndeshjen e radhës me Burrelin në Lezhë.

Gjykuar nga ecuria e deritanishme, lezhjanët duhet ta fitojnë këtë ndeshje, por edhe burrelasit e kanë filluar mirë fazën e dytë. E gjithë puna e stafit teknik është përqendruar te ruajtja e ritmit, organizimi i mesfushës dhe ndërtimi i manovrës sulmuese me sa më shumë forca, befasi dhe shpejtësi.

Për këtë ndeshje trajneri Alban Bruka thotë: “Deri tani jemi në rrugë të mbarë, pasi kemi fituar 9 pikë në tri ndeshje, nga të cilat 6 në transfertë. Por ky është vetëm një fillim i mirë dhe rëndësi të madhe ka vazhdimësia.

Duhet ta vlerësojmë maksimalisht çdo ndeshje, sepse të gjitha vlejnë tri pikë dhe asnjë kundërshtar nuk është i lehtë. Një gabim sado i vogël na pengon në rrugën tonë drejt superligës. Ndeshja e radhës ka vështirësitë e saj, pasi luajmë me një kundershtar të fortë, që ka një fillim të mirë, por edhe luan mirë futboll.

Vërtet euforia nuk ka vend te Besëlidhja, por rreziku ekziston, prandaj dhe po punojmë në këtë drejtim. Presidenti ka bërë gjithçka për skuadrën dhe kemi detyrimin t’ia kthejmë me rezultate këtë përkujdesje dhe korrektesë.

Tani Besëlidhja është e motivuar materialisht dhe moralisht dhe tifozëria i është kthyer stadiumit në mbështetje të skuadrës. Duhet të kemi kujdes vetëm nga vetja,” - përfundon trajneri Alban Bruka

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top