Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 19: Besëlidhja - Burrreli 3:0

Besëlidhja regjistron fitoren e 4-t radhazi në po kaq ndeshje të zhvilluara të fazës së dytë. Me 3 pikët e marra ndaj Burrelit lezhjanët ngjiten në zonën e superligës, duke mbajtur kështu premtimin e presidentit Noka, i cili ka thënë se Besëlidhja nuk do të njohë kundërshtarë në fazën e dytë. Trajneri Bruka ka bërë zgjedhjet e duhura, duke aktivizuar serbin Stojkoviç në vend të Shalës dhe Shytin në vend të Prelës. Lezhjanët e nisin lojën të karikuar për fitore, por në minutat e para kuptohet se ata do të kenë shumë të vështirë, pasi matjanët luajnë me forca të shumta në mbrojtje. Miqtë përpiqen vetëm të shkatërrojnë lojën e Besëlidhjes dhe skuadra lezhjane e ka të vështirë ta godasë portën e Xhixhës. Rrezikshmëria e Besëlidhjes fillon pasi ka kaluar gjysma e pjesës së parë. Vendësit ekzekutojnë disa goditje standarde, por matjanët janë të shumtë në zonën e tyre dhe largojnë topin. Besëlidhja e nis pjesën e dytë me një tjetër strategji. Trajneri Bruka kërkon që mesfushorët e krahut dhe mbrojtësit ta ndihmojnë skuadrën në fazën sulmuese dhe pas 3 minutash zhbllokohet rezultati. Maho nga këndi jep një top të saktë për Gegën, që me kokë e dërgon në rrjetë dhe 1-0. Skuadra lezhjane çlirohet dhe më pas loja kontrollohet prej saj. Pustina merr përsipër organizimin e lojës, ndërsa Gega në sulm është i papërmbajtshëm, ndërkohë që ndihmojnë shumë Maho, Asllani dhe Noka. Maho gabon nga pika e bardhë, duke e përplasur topin në shtyllë dhe duke humbur mundësinë për 2-0. Megjithatë, Besëlidhja lëviz mirë dhe Gega arrin të dyfishojë rezultatin pas një aksioni të gjatë të Dervishit e Mahos. Lezhjanët nuk mjaftohen me kaq dhe rastet për shënim shtohen. Gega është protagonisti kryesor i ndeshjes dhe në minutën e 73-të vulos rezultatin në 3-0, pasi ka marrë një top të bukur nga Asllani. Tri minuta para fundit, skuadrat mbeten me nga 10 veta, sepse gjyqtari Masha ndëshkon me karton të kuq Likën dhe Ballukun pas një zënke mes tyre. Në minutën e 57-të, Buna është dërguar në spitalin rajonal të Lezhës, pasi ka dëmtuar syrin gjatë përplasjes me mbrojtësin Lika.

Besëlidhja - Burreli 3-0
Besëlidhja: Xhika, Noka, Stojkoviç, Lika, Shyti, Gruda (Mazia 46′), Camaj (Pustina 38′), Asllani, Dervishi (Kulli 79′), Gega, Maho. Trajner: A.Bruka.
Burreli: Xhixha, E.Kola (Kasmi 79′), Dika, Shehi, Pjetrani, Pepa, Balluku, Buna (K.Kola 57′), Mata, Frisku, Çota (Meta 33′).
Trajner: L.Kola.
Shënues: Gega 48′, 63′, 73′
Gjyqtarë: M.Masha, D.Agaraj, B.Mesi (Tiranë).
Kartonë të verdhë: Çota, Pjetrani
Kartonë të kuq: Lika, Balluku

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top