Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Ndoka: Të kuqtë, të njëjtin fat me të tjerët

Lezhjanët po paraqiten më kompetitivë në këtë fillim të fazës së dytë, duke i fituar dy ndeshjet e para. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, ata kanë fituar në një transfertë mjaft të vështirë, siç ishte ajo e Fierit. Pas fitoreve me Apoloninë dhe Gramozin, në kampin lezhjan është krijuar bindja se skuadra do të arrijë të ngjitet në supëriore.

Tashmë Besëlidhjen po e ndjekin edhe në stërvitje një numër i madh tifozësh, pasi interesimi është rritur pas fillimit të mbarë të 2011-ës. Këtë të shtunë pritet që Besëlidhja të arrijë fitoren e 3-të radhazi, pasi pret në stadiumin “Brian Filipi” Partizanin me shumë halle.

Mbrojtësi Armando Ndoka flet për një fitore të sigurt, kur shprehet se Partizani do të ketë fatin e të tjerëve: “Futbollistët me përvojë që i janë bashkuar skuadrës gjatë merkatos së janarit e kanë rritur jo pak forcën e saj.

Mendoj se me punën që po bëhet Besëlidhja do të ngjitet disa shkallë në renditje dhe do të sigurojë superligën, pasi gjithçka po funksionon mirë. Përpara kemi sfida të vështira dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm, sepse çdo gabim na largon nga objektivi.

Duhet detyrimisht të fitojmë edhe në ndeshjet jashtë fushe dhe besoj se i kemi mundësitë dhe kualitetin ta bëjmë këtë. Takimin e radhës, që kemi me Partizanin, duhet ta vlerësojmë, pasi të kuqtë kërkojnë mbijetesën dhe do të luftojnë për pikë.

Parashikoj fitoren e radhës, ndërkohë që duhet të largojmë euforinë, që të mos na ndodhë si me Gramozin. Jemi në vendin e 4-t, por do të përpiqemi të ngjitemi më lart, përderisa kemi mjaft pikë për të marrë dhe kampionati është i gjatë,” - është shprehur për “Sportin shqiptar” mbrojtësi i Besëlidhjes, Ndoka.

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top