Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Rezart Maho fundos Partizanin

Edhe stadiumi i Krujës nuk i sjell fat Partizanit, që u mund dje 2-1 nga Besëlidhja. Gjithçka të bukur e ka pasur brenda kjo ndeshje, por në fund fitorja u ka buzëqeshur lezhjanëve duke marrë tri pikë mjaft të çmuara. Ndërsa Partizani, ndonëse luajti mirë në pjesën më të madhe të takimit, me humbjen e pësuar i ka ndërlikuar shanset për mbijetesë, duke qenë i fundit në renditje. Partizani u ndëshkua nga gabimet e portierit të tij dhe goli i ish-sulmuesit Rezart Maho që 4 minuta nga fundi u heq një pikë. Sidoqoftë, ky ekip i ri i krijuar nga Bajko të bën të ndihesh vërtet keq kur fitorja të mohohet ndofta edhe falë fatit dhe gabimeve të portierit. Të kuqtë e nisën mirë ndeshjen dhe në minutën e 28-të është Mehja që shënon një gol të bukur për Partizanin. Vetëm 6 minuta zgjati gëzimi, pasi miqtë barazojnë me Gegën, gol i cili do të ishte i evitueshëm me një portier tjetër në portën e Partizanit. Në përgjithësi u zhvillua një loje e bukur, por nuk munguan edhe kartonët për shkak të ndërhyrjeve të gabuara, rrjedhojë e presionit psikologjik për fitoren me çdo kusht. Gjyqtari Cjapi e ka nxjerrë plot tetë herë kartonin e verdhë, por në asnjë rast ndërhyrjet nuk janë shoqëruar me incidente. Nuk kanë munguar në këtë takim edhe kontestimet për arbitrimin e treshes fierake nga pankinat e të dyja skuadrave. Të kuqtë kanë pretenduar për një 11 metërsh në minutën e 66 të të takimit, kur mbrojtësi Lika ka ndryshuar me dorë drejtimin e topit në zonën e rreptësisë. Por edhe lezhjanët kanë kontestuar fuqishëm një gol të anuluar në minutën e 75 të me pretekstin e një ndërhyrjeje të gabuar ndaj portierit. Në minutën e 86-të, Maho nga një goditje standarte mbi 30 metra distancë, e dërgon topin në kahun e portierit Sejdo dhe 1-2 për Besëlidhjen.

Alban Bruka, trajner i Besëlidhjes: “E kisha parashikuar se edhe me të rinj Partizani do të luante kaq fort. Kemi punuar gjatë javës në aspektin psikologjik dhe në momentin e pësimit të golit u vërejt kjo mangësi. Goli i barazimit erdhi shpejt dhe na dha një tjetër shtysë. Në përgjithësi, ekipi u përgjigj mirë në fushën e lojës. Gjithsesi, kjo fitore ka mjaft vlera dhe na jep siguri për ndeshjet në vazhdim.”

Partizani - Besëlidhja 1-2
Partizani: Sejdo, Çullhaj, Hithi, Bozha, Thana, Gjoka, Shkëmbi, Berberi (Xhepa 56`), Lleshi, Mehja (Gega 82`), Peposhi.  Trajner: N. Bajko
Besëlidhja: Xhika, Ndoka, Lika, Shala, Prela, Camaj, Pustina, Gruda (Shytani 52′), Gega (Kulli 89`), Maho, Asllani (Dervishi 87`). Trajner: A. Bruka
Shënues: Mehja 30`, Gega 34`, Maho 90`.
Gjyqtarë: K.Cjapi, I.Tartari, O.Grabova (Fier)
Kartonë të verdhë: Gjoka, Shkëmbi, Berberi, Lika, Shala, Prela, Camaj, Gega.

Burimi: Sporti Shqiptar

Back To Top