Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

U-17: Incidente në Lezhë, tifozët rrahin gjyqtarët

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Lezhë në ndeshjen Besëlidhja-Dinamo (1-1), e cila është ndërprerë rreth 10 minuta para përfundimit për shkak të dhunës që kanë ushtruar tifozët vendës. Në minutën e 20-të vendësit kanë shënuar me 11-metërsh, ndërsa goli i barazimit për miqtë nga Tirana është shënuar në minutën e 68-të.

Duke mos u pajtuar me vendimet e gjyqtarëve, disa tifozë, që vetëm të tillë nuk mund të quhen, janë futur në fushë duke goditur me sende të forta (edhe me mjete metalike) treshen e gjyqtarëve nga Shkodra (Stërkaj-Jubani-Sorrja) si dhe futbollistët e rinj të Dinamos (një pjesë e mirë e tyre përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare).

Në këtë situatë dramatike, gjyqtari Stërkaj nuk ka gjetur rrugë tjetër veçse ta ndërpriste ndeshjen 10 minuta para përfundimit të saj. Trajneri i Dinamos, Arben Milori, tepër i indinjuar me çka i panë sytë, është shprehur: “Është krejt e papranueshme dhe e turpshme ajo që ndodhi në Lezhë.

Unë nuk di çfarë t’u mësoj futbollistëve të rinj kur ata i pret dhuna në fusha të tilla. Kam mbetur pa fjalë nga ajo që ndodhi në Lezhë.” Ngjarja e Lezhës është përcellë me mjaft shqetësim edhe nga përfaqësuesit e FSHF-së.

Institucioni i futbollit pritet të marrë masa të ashpra ndëshkimore (humbja në tavolinë si dhe dënim të fushës) nëpërmjet komisioneve juridike. Burime të FSHF-së thonë se edhe stoli i lezhjanëve, sidomos zëvendëstrajneri i Besëlidhjes, kanë mbajtur qëndrim të keq gjatë gjithë ndeshjes. 

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top