Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja nuk bind përsëri në trasfertë

Ka qenë një takim i ndjekur nga një numër i madh spektatorësh, pasi kishin ardhur edhe shumë tifozë lezhjanë. Mbrojtjet respektive janë shumë të kujdesshme dhe nuk lejojnë asnjë situatë të vështirë. Në pjesën e parë loja është shumë e bukur edhe për meritë të miqve, të cilët sulmojnë rrezikshëm, kurse në dytën ka një epërsi të kamzalinjve dhe rastet për gol nuk mungojnë. Për vendësit dallohen Malo dhe Capa, ndërsa për miqtë pa dyshim që ndërrimet i kanë dhënë ritëm lojës. Asllani Shyti dhe Halili kanë qenë pranë barazimit.

Gega ka rastin më të mirë në minutën e 5-të, kur i rrëmben një top Mullajt, por nuk arrin të mposhtë Mustafën. Malo ezkekuton një goditje dënimi nga larg dhe topi kthehet te Ngjela, që shmanget bukur, por gjuan keq. Korçari ka edhe një rast tjetër në minutën e 34-t, por Xhika grushton bukur. Pas një kombinimi të bukur me Gegën, Berkoviç gjuan me kokë nga afër, por nuk ka saktësi. Në fundin e pjesës së parë organizohen vendësit, të cilët i afrohen golit me sulmuesin Dalipi, që nuk tregohet shumë i vëmendshëm. Edhe Ngjela do të humbiste një rast i vetëm me portierin Xhika. Kur skuadrat po bëheshin gati për në dhomat e zhveshjes, Malo shënon golin e fitores. Capa harkon në zonë dhe topi përfundon te Malo, i cili shmang dy mbrojtës lezhjanë dhe i vetëm me Xhikën nuk gabon. 1-0 për Kamzën nis pjesa e dytë, që dominohet nga vendësit, me raste të shumta shënimi. Dalipi gjuan dhe gjen në pozicion portierin Xhika, ndërsa për Besëlidhjen ka një rast Asllani, i cili i vetëm me Mustafën nxitohet në gjuajtje dhe nuk arrin të barazojë. Shyti shpëton portën e tij nga goli i dytë, kurse Halili rrezikon portën e Kamzës. Mbyllet kështu me fitoren minimale të Kamzës kjo ndeshje, ndërkohë që përmbushet edhe “profecia” e Malos, autorit të golit.

Deklarojnë…
Skerdi Bejzade, trajner i Kamzës: “Takimin e patëm nën kontroll dhe e merituam fitoren. Prisja një Besëlidhje më të fortë. Nga grupi im jam i kënaqur dhe me këtë fitore tani jemi brenda objektivit. Rezultatet e rivalëve na kanë favorizuar e motivuar për më tej.”

Alban Bruka, trajner i Besëlidhjes: “Jemi ndëshkuar nga një pakujdesi në fund të pjesës së parë. Futbollistët e lëshuan lojën, kur ajo ende nuk kishte mbaruar. Në pjesën e dytë nuk e patëm fuqinë e reagimit. Do të kthehemi te suksesi që në takimin e radhës. Kamzës i uroj suksese.”

Kamza - Besëlidhja 1- 0
Kamza: Mustafa, F.Tafaj, Hallaçi, Mullaji, Ardit Beqiri, Ardjan Beqiri, Capa, Ngjela, Malo (Deliallisi 79′), Dalipi (Kënga 88′), Karapici (Lame 69′). Trajner: S.Bejzade.
Besëlidhja: Xhika, Noka, Stojkoviç, Shala, Prela, Camaj, Gruda (Halili 78′), Dervishi (Shyti 68′), Gega, Berkoviç (Asllani 46′), Maho. Trajner: A.Bruka.
Shënues: Malo 45′
Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Ganxhi, A.Mahmutaj (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Karapici, Stojkoviç, Prela, Camaj, Ngjela (2)
Karton i kuq: Ngjela

Burimi: Sporti Shqiptar
 
Back To Top