Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja rrëzon “mitin” “Ismail Xhemali”

Lezhjanët i kanë shkaktuar Tërbunit humbjen e parë në 4 vjet.
Ndeshja Tërbuni Besëlidhja, pasi ishte shtyrë disa herë, është luajtur më në fund dhe, ndryshe nga sa kishin bërë për 4 vjet me radhë, pukjanët kanë dalë pa pikë nga stadiumi “Ismail Xhemali”. Ka pasur një interesim të veçantë nga shumë sportdashës pukjanë, por edhe lezhjanë, nisur nga vetë pozicionet e dy ekipeve në tabelë. Tërbuni, pa dy trajnerët të skualifikuar, ka dalë i humbur dhe mbetet kështu i parafundit, ndërsa Besëlidhja, edhe pse ka marrë 3 pikë, nuk ka fituar asnjë pozicion, sepse të njëjtën gjë ka bërë edhe rivalja e saj, Apolonia.Loja nis mjaft e vrullshme nga ekipi pukjan, që arrin të krijojë edhe disa raste me Kaloshin, Muratin, Gurin dhe Jaçajn, të cilët, po të ishin treguar më të vëmendshëm, mund të kishin shënuar.

I vetmi rast i Besëlidhjes për pjesën e parë është ai i minutës së 4O-të, kur Gega, pas një krosimi të Likës, godet shtyllën e portierit Selimaj. Pjesa e dytë nis me ritëm të lartë nga ana e vendësve dhe duket se futja e Dibrës e gjallëron mjafty sulmin pukjan.

Edhe në këtë pjesë Tërbuni i afrohet golit disa herë, por lojtarët e tij nuk arrijnë të shfrytëzojnë asnjë nga rastet e krijuara. Kur të gjithë prisnin golin e fitores për ekipin vendës, këtë gjë e ka bërë Besëlidhja. Në minutën e 81-të është Gega që shënom një gol mjaft të bukur brenda zonës.

Në minutat e mbetura pukjanët bëjnë të gjitha përpjekjet për të barazuar, por mbetet në fuqi goli i Gegës dhe lezhjanët thyejnë kështu “mitin” e Tërbunit në fushën e tij. Besëlidhja ka treguar se jo më kot është pretendente serioze për në superligë, ndërsa Tërbunit ndoshta i ka munguar fati për të marrë të paktën një pikë në këtë ndeshje të prapambetur.

Deklaroi
Alban Bruka, trajner i Besëlidhjes: “E kishim vlerësuar shumë këtë takim për vetë pozicionin ku jemi. Ishte një takim shumë i vështirë, por ekipi ia arriti qëllimit, duke marrë tri pikë mjaft të vlefshme. E vlerësoj ekipin pukjan, që me lojën që zhvilloi dhe me elementët që ka, duhet të ishte më lart në tabelën e klasifikimit.”

Tërbuni - Besëlidhja 0-1
Tërbuni: Selimaj, Guri, Hasanaj (Beqiri), Sukaj, Su.Kaloshi, Sa.Kaloshi, Jaçaj, Murati, Gokaj, Shytani, Rrustja (Dibra).
Besëlidhja: Xhika, Lika, Shala, Noka, Prela, Stojkoviç (Halili), Camaj, Uka (Kulli), Gega, Berkoviç (Asllani), Maho.
Trajner: A.Bruka.
Shënues: Gega 81′
Gjyqtarë: E.Peza, A.Pregja, B.Mesi (Tiranë)

Burimi: Sporti Shqiptar
 
Back To Top