Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja s’i ndahet 4-shes, Gega mposht Lushnjën

Lezhjanët nuk falin në fushën e tyre, pavarësisht se ndaj lushnjarëve kishin disa mungesa. Një gol i Gegës në fundin e pjesës së parë i ka dhënë fitoren e radhës Besëlidhjes në ndeshjen me Lushnjën rivale. Kështu, lezhjanët kanë arritur fitoren e dytë brenda 4 ditësh, por përsëri mbeten pas Apolonisë, në vend të 5-të. Besëlidhja ka pasur mungesa të rëndësishme, siç ishin ato të Likës, Pustinës dhe Camajt, por nuk ka gabuar, madje duke sfiduar edhe lodhjen fizike. Lushnja kishte ardhur me pretendime, pasi kishte udhëtuar një ditë para ndeshjes, ndaj dhe lezhjanët e kanë pasur të vështirë. Loja është e hapur që në fillim, ku iniciativa është në krahun e vendësve. Këta të fundit rrezikojnë fillimisht me Shalën, i ardhur në ndihmë të sulmit, por topi i goditur prej tij përplaset në shtyllë. Lezhjanët tentojnë ta zhbllokojnë rezultatin me Gegën, Mahon dhe Asllanin, por përpjekjet e tyre nuk kanë sukses, sepse mbrojtja e Lushnjës tregon kujdes maksimal. Besëlidhja ushtron presion të vazhdueshëm, por nuk e gjen rrugën e rrjetës. Më pas loja është e qetë dhe rastet mungojnë. Këtë qetësi e prish Taullau, i cili provon me një gjuajtje nga larg. “Frenat” e lojës i marrin sërish në dorë vendësit, që i afrohen golit me mbrojtësin Stojkoviç, që godet shtyllën, ashtu si Shala. Goli vjen pikërisht në minutën e fundit të pjesës së parë, kur Berkoviç shërben për Gegën, që mposht portierin Andoniu dhe 1-0. Pjesa e dytë tregon një Besëlidhje më të tërhequr dhe Lushnja baraspeshon lojën. Miqtë avancojnë drejt portës lezhjane dhe rrezikojnë, por pa rezultat. Trajneri Bruka ndërhyn dhe bën zëvendësime, duke i dhënë përparësi sulmit me Kullin, që u hap punë lushnjarëve. Në fund lushnjarët hidhen të gjithë në sulm për të shënuar golin e barazimit, por janë kujtuar vonë. Lezhjanët i zgjidhin mirë sulmet e tyre dhe e ruajnë avantazhin minimal deri në fund. Besëlidhja merr një tjetër fitore dhe mbetet plotësisht në garë për superligën, pse jo dhe për t’u ngjitur direkt në të.

Besëlidhja - Lushnja 1:0
Besëlidhja: Xhika, Noka (Shyti 80′), Shala, Prela, Gruda, Stojkoviç, Berkoviç (Kulli 59′), Dervishi (Maziu 67′), Gega, Asllani, Maho. Trajner: A.Bruka.
Lushnja: Andoniu, Dhima, Koreshi, Hasalla (Sulo 66′), Ruço, Xhagalliu, Gjoni (Çelhaka 69′), Baze (Tepshi 57′), Taullau, Mërtiri, Mjatoviç. Trajner: I.Gjyla.
Shënues: Gega 46′
Gjyqtarë: M.Masha, D.Rexha, E.Barushi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Dervishi, Maho, Asllani, Mërtiri, Koreshi, Baze

Burimi: Sporti Shqiptar
  
Back To Top