Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja vlerëson Lushnjën, veshët te rivalët

Trajneri Bruka, pavarësisht mungesave dhe lodhjes, nuk e vë në diskutim fitoren me lushnjarët. 6 fitore ka Besëlidhja në fazën e dytë, përfshirë edhe ndeshjen e prapambetur nga faza e parë me Tërbunin. 1 pikë i ndan lezhjanët aktualisht nga vendi i 4-t, që mundëson kalimin direkt në superligë. Lezhjanët, pasi kanë marrë 3 pikë të mërkurën në Pukë, presin sot Lushnjën, që në fazën e parë ka fituar 1-0 në “Roza Haxhiu”. Kjo ndeshje paraqet interes të madh për Besëlidhjen, që mbyll sot një javë të ngarkuar. Fitorja me Tërbunin, kur skuadra lezhjane ka shpenzuar shumë energji, ka rritur besimin për më lart, ndaj dhe Lushnja, që synon të përfitojë nga lodhja e Besëlidhjes, duhet kaluar patjetër me sukses. Mesfusha është reparti më problematik për ndeshjen me Lushnjën, pasi Lika dhe Pustina do të mungojnë për arsye dëmtimi.

Në këto kushte, trajneri Bruka ka menduar seriozisht për zëvendësimin e tyre dhe ka të ngjarë që ai të përdorë për këtë ndeshje Dervishin apo dhe Halilin. Megjithatë, drejtuesit e skuadrës lezhjane janë krejt të qetë, duke besuar se do të hedhin në fushë një formacion, që do të sigurojë tri pikët dhe që do të kënaqë tifozërinë me lojën që do të zhvillojë. Kreu i stolit lezhjan, Alban Bruka, e vlerëson këtë ndeshje si të gjitha tjerat që kanë mbetur për t’u luajtur, por ndërkohë ka kërkuar nga të tijtë që të mos lëshojnë e nënvlerësojnë. Historikisht me Lushnjën ndeshjet aq sa kanë qenë korrekte, janë karakterizuar edhe nga një luftë e fortë.

Për Brukën, i cili pretendon se e njeh skuadrën kundërshtare, ndeshja nuk duhet marrë aspak lehtë: “Lushnja është një nga skuadrat e forta të kategorisë së parë, që ende lufton për një vend në 6-she, prandaj duhet vlerësim real, teksa besoj se përgatitjet e duhura i kemi bërë,” - ka thënë për “Sportin shqiptar” trajneri lezhjan. Në fakt, askush në Lezhë nuk mendon se Besëlidhja mund të gabojë sot. Atmosfera në Lezhë është e ndezur dhe mbeshtetja e tifozërisë mendohet të jetë më madhe së në asnjë ndeshje tjetër, pas fitores ndaj Tërbunit. Ndërkohë, priten me mjaft interes përballjet e Apolonisë dhe Tomorit. Lezhjanët, aq sa i besojnë skuadrës së tyre, me kalendar në dorë bëjnë llogaritë se ku mund të gabojnë rivalët. Ndërkaq, ata janë të vendosur të kryejnë mirë detyrat e tyre shtëpiake.

Dëmtimi ndalon Elton Likën
Lajmi i keq është se lezhjanët kanë humbur për ndeshjen e sotme edhe mbrojtësin Lika, i cili ka pësuar një dëmtim serioz. Ai vinte pas dy javëve pushim si i skualifikuar, por edhe pak i dëmtuar, dëmtim që në ndeshjen me pukjanët mori përmasa më të mëdha, aq sa Lika nuk është në gjendje t’i shërbejë skuadrës. Ish-lojtari i Skënderbeut luajti mesfushor, ndryshe nga ndeshjet e para, dhe u mendua se ishte gjetja e duhur, por dëmtimi e ka lënë jashtë.

Burimi: Sporti Shqiptar
   
Back To Top