Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Bruka: Na bën punë 1 pikë në Pogradec

Trajneri lezhjan mendon se skuadra e tij nuk ka kurrfarë presioni për sfidën me kryesuesit. Periudha e ndërprerjes së kampionatit është shfrytëzuar mjaft mirë nga lezhjanët për të intensifikuar përgatitjet për pjesën e mbetur të kampionatit. Madje, me ambicien që ata kanë për t’u ngjitur në superligë, java që shkoi është përdorur në mënyrë racionale për të plotësuar nevojat e futbollistëve të veçantë për më shumë stërvitje. Më shumë i është mëshuar aspektit fizik, që ka zënë pjesën më të madhe të kohës të çdo seance stërvitore. Trajneri Alban Bruka ka pohuar se e ka mirëpritur ndërprerjen për shumë arsye, por më së shumti për të plotësuar ndonjë boshllëk të krijuar dhe për riaftësimin e disa titullarëve. Fjala është për dy mesfushorët Lika dhe Pustina, të cilët nuk luajnë që nga ndeshja me Burrelin. Të dy kanë pësuar tërheqje dhe gjatë javës kanë qenë të diferencuar nga grupi, duke bërë vetëm vrapime të lehta. Megjithatë, deri tani këta dy futbollistë ende nuk janë riaftësuar dhe nuk janë përfshirë në lojërat e zhvilluara në skuadër.

Sidoqoftë, shpresohet se deri në fund të javës do të jenë pjesë e skuadrës që do të udhëtojë në Pogradec. Ndërsa java e mbyllur është dominuar nga përgatitja fizike, kjo që ka nisur, sipas Brukës, do të ketë më pak ngarkesë. Tekniku Bruka mendon se bashkë me kolegët ka bërë më të mirën në prag të sfidës me kryesuesit. Trajneri lezhjan pohon për “Sportin shqiptar” se skuadra e tij do të shkojë e përgatitur në çdo aspekt drejt Pogradecit: “Ne do të shkojmë në Pogradec të qetë dhe pa ngarkesa, pasi e dimë që atje pritet çdo rezultat.

Nuk është turp të të mundë Pogradeci, që në fushën e tij nuk njeh rezultat negativ, por, ashtu si ata fazën e parë, do të tregohemi të kujdesshëm për të marrë qoftë dhe një pikë, që besoj se na vlen për të shkuar drejt objektivit që synojmë,” - tha trajneri Bruka. Duke mos llogaritur dy mungesat e mësipërme, mendohet se skuadra lezhjane do të jetë e plotë dhe prej saj pritet shumë nga kjo ndeshje, që është konsideruar mjaft e rëndësishme. 

Burimi: Sporti Shqiptar
  
Back To Top