Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Bruka: Në Pukë do të jemi ne “vendësit”

Trajneri Alban Bruka beson se tifozëria lezhjane do të krijojë një situatë të favorshme për 3 pikët.
Për të disatën herë do të tentojnë lezhjanët, nëse moti do t’i lejojë, për të zhvilluar takimin e prapambetur të fazës së parë me Tërbunin në Pukë. Herët e para nuk ka qenë moti “dakord”, që të zhvillohej ky takim, teksa ka qnë më i ashpër se ditët e tjera. Katër fitoreve të javëve të para të fazës së dytë dhe barazimit me Gramshin, që në Lezhë e quajnë aksidental, lezhjanët presin t’u shtojnë edhe një të pestë në këtë derbi verior. Nuk kanë pasur kohë as për analizën rutinë që ata zhvillojnë pas çdo ndeshjeje, pasi Tërbuni ka qenë në prag dhe barazimi është pranuar nga stafi lezhjan.

Në transfertën e sotme Besëlidhja do të ketë të gatshëm edhe kapitenin Elton Lika. Trajneri Alban Bruka e konsideron të kalueshëm Tërbunin, kur thotë: “Kemi humbur dy pikë në Gramsh, por, nëse do të kishte korrektesë, duhej t’i kishim edhe ato. Kemi bërë një lojë të mirë, duke qenë superiorë në të gjithë treguesit, por jemi ndëshkuar nga gjyqtarët, të cilët nuk na linin të kalonim mesfushën. Gjithsesi, kemi përpara takimin e Pukës, që është i vështirë për vetë gjendjen që ka Tërbuni, por se mund të kalohet. I kemi të gjitha kapacitetet të kthehemi me fitore nga Puka.

Mendoj se në stadium do të jemi ne “vendësit” dhe këtë e them nga numri i madh i tifozëve që na ndjekin nëpër transferta, madje edhe kur ato janë të largëta dhe jo kaq pranë sa është Puka. Them se tifozëria do të na krijonte një situatë favorizuese dhe larg presionit që kanë në përgjithësi transfertat e kategorisë së parë. Fusha do të flasë më mirë.” Numri 1 i stolit lezhjan, Alban Bruka, shpreson dhe beson se do të jetë një lojë shumë korrekte.

Burimi: Sporti Shqiptar

Back To Top