Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Camaj: Besëlidhja nuk pëson gol në Kamëz

Mesfushori i skuadrës lezhjane mendon se janë të gjitha mundësitë për rezultat pozitiv në sfidën e radhës. 16 pikë ka marrë Besëlidhja nga 18 të mundshmet në 6 ndeshjet e fazës së dytë, si asnjë skuadër tjetër. Shqiptaro malazesi Valento Camaj, i cili para fazës së dytë është bashkuar me Besëlidhjen, pas dy javëve pushim për arsye dëmtimi, është rikthyer në gjendje të mirë dhe në ndeshjen e radhës me Kamzën do të jetë në fushë titullar. Ai u dëmtua rëndë në ndeshjen me Burrelin dhe vetëm falë vullnetit të tij ka bërë që të riaftësohet në një kohë rekord. Mungesa e tij në ndeshjen me Gramshin dhe Adën është ndierë së tepërmi dhe ka pasur ndikim në lojën e lezhjanëve. Por tani Camaj e ka marrë veten plotësisht dhe është i vendosur për të dhënë më të mirën ditën e shtunë.

Madje, ai ka kërkuar edhe mobilizimin e shokëve të skuadrës për dhënë maksimumin për ta fituar sfidën me Kamzën. Ndërkohë, 32-vjeçari Camaj evidenton mungesat që do të ketë skuadra në këtë javë. Ai i konsideron shumë të rëndësishme mungesat e Likës, Pustinës dhe Berkoviçit, që për arsye dëmtimi nuk do të luajnë në këtë ndeshje. Gjithsesi, ai vlerëson punën që po bën stafi teknik për përgatitjen e zevendësuesve të tyre dhe beson shumë për një paraqitje të mirë të tyre, kur shprehet: “Besoj se janë marrë masat dhe janë bërë zgjedhjet e duhura për zëvendësimin lojtarëve që mungojnë.

Jam i bindur se ata që do të luajnë do të japin maksimumin.” Por Camaj për këtë ndeshje shikon edhe disa veçori që skuadra ka shfaqur gjatë kësaj jave në stërvitje, duke i quajtur ato avantazhe. Sipas tij, angazhimi për t’u përgatitur sa më mirë ka qenë i admirueshëm dhe për pasojë mobilizimi e besimi në fitore është në shkallën më të lartë. “Ngjitja në superligë, - thotë Camaj për “Sportin shqiptar”, - do të kalojë nëpër 6 stadiumet, ku do të luajmë deri në fund. Ne do ta shtojmë luftën sportive dhe me lojë tërësisht kolektive do të triumfojmë.” Ndërsa konkretisht për ndeshjen me Kamzën, mesfushori ka besim të plotë se Besëlidhja nuk do të pësojë gol:

“Portieri Xhika dhe mbrojtja, me Shalën e Stojkoviçin, janë të pakalueshëm.” Në fund ai përmend edhe një faktor tjetër, me të cilin lidh suksesin e skuadrës. Për të, është presidenti Noka ai që ka projektuar skuadrën e superiores dhe ka krijuar kushte shumë të mira. “Kam luajtur me 10 skuadra të superligës në Mal të Zi e në Shqipëri dhe president si Noka, që e ndjek skuadrën dhe jeton thellë me problemet e saj, nuk kam parë. Prandaj, ky le të jetë edhe një motiv më shumë për ta fituar këtë ndeshje të rëndësishme,” - ka thënë ai. Duke e ndierë veten shumë të respektuar në Lezhë, Camaj vlerëson mjaft edhe tifozërinë vendëse, duke e konsideruar një mbështetëse të fuqishme të skuadrës.

Burimi: Sporti Shqiptar
 
Back To Top