Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Mbrojtja, çelësi i suksesit te Besëlidhja

Trajneri Alban Bruka pritet të paraqitet me formacionin më të mirë ndaj Kamzës. Lezhjanët kanë marrë dhe tri pikë të çmuara me Adën dhe janë ngjitur në vend të katërt, duke hyrë sërish në zonën e privilegjuar të superligës. Në përgjithësi, ka qenë një ndeshje shumë e fortë dhe velipojakët u kanë bërë rezistencë të paparashikuar lezhjanëve, të cilëve u është dashur, sidomos në pjesën e dytë, më shumë punë. Ata kanë luajtur me tre sulmues për ta mposhtur Adën dhe në fund ia kanë arritur. Megjithëse asnjëherë nuk është vënë në diskutim fitorja, duhet thënë se ajo ka qenë e vështirë, më shumë për meritë të miqve, që në fazën e dytë janë përforcuar. Lojtarë si Bishani, Edmond Doçi dhe Osja e ka bërë Adën një skuadër mjaft të fortë.

Duket se kjo ka qenë edhe arsyeja që në analizën e djeshme drejtuesit e Besëlidhjes janë shprehur të kënaqur me rezultatin. Presidenti Gjokë Noka ka pohuar: “Jam i kënaqur me rezultatin, pra me tri pikët dhe deri në fund duhet të zhvillojmë lojëra që na japin pikët e plota. “Kjo do të thotë se lezhjanët deri ne fund do të jenë racionalë në lojërat e tyre. Mbrojtësit e Besëlidhjes, bashkë me “gardianin” Xhika, janë evidentuar si më të mirët e skuadrës, pasi në 6 ndeshje kanë pësuar vetëm 3 gola, kurse për dy repartet tjera ka pasur pretendime për lojë më të mirë.

Edhe një herë është përshëndetur portieri Xhika, i cili gjatë këtij sezoni, duke llogaritur edhe ato kur luante me Partizanin, ka pritur plot 4 11-metërsha. Edhe në ndeshjen me Adën ai e ka shpëtuar skuadrën e tij nga një gol i sigurt. Trajneri Bruka ka kërkuar shumë më tepër nga lojtarët e mesfushës dhe nga sulmuesit. Që dje kanë filluar përgatitjet për ndeshjen e radhës me Kamzën dhe duket se gjithça ka filluar mbarë. Pothuajse të gjithë futbollistët kanë marrë pjesë në stërvitje, që për Brukën do të thotë se do t’i jepet mundësia e paraqitjes me formacionin më të mirë. Me mjaft vlera konsiderohet riaftësimi i mesfushorit Camaj, i cili për dy javë nuk ka luajtur për arsye dëmtimi, por edhe rikthimi i Likës pas skualifikimit. 

Burimi: Sporti Shqiptar
   
Back To Top