Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Besëlidhja, ekipi më i mirë i fazës së dytë

Mbrojtësi Armando Noka nuk e diskuton fitoren në ndeshjen e nesërme me Adën. Lezhjanët e ndërprenë serinë e fitoreve në Gramsh, ku barazuan pa gola, por ata synojnë të kthehen te tripikëshi në takimin me Adën, pasi shprehin keqardhjen për shtyrjen përsëri të takimit me Tërbunin. Pas atij fillimi mbresëlënës të fazës së dytë, të gjithë besojnë se Besëlidhja do kthehet në superligë dhe këtë do ta bëjë duke fituar çdo ndeshje të radhës. Mbrojtësi Armando Noka mendon se Besëlidhja është e sigurt në rrugën e saj dhe ndaj Adës nuk llogarit rezultat tjetër veç fitores: “Për ne çdo takim i radhës llogaritet si një mundësi për të shtuar 3 pikë në tabelë, pavarësisht se cili është kundërshtari dhe se ku luajmë.

Më vjen keq që nuk luajtëm edhe këtë radhë në Pukë, pasi sot do të kishim 3 pikë më shumë, që do të na afronin me kreun. Besëlidhja them se e ka të sigurt kthimin në supërligë, por do të theksoja se e rëndësishme është që të bindim edhe me lojën tonë. Këtë javë do të ndeshemi me Adën dhe e dimë se është një ekip shumë i fortë, por jo aq sa për të na marrë pikë. Besoj se do të jetë një takim i fortë, që do të prodhojë spektakël. Ne jemi të vendosur për t’u kthyer te fitorja, sepse Besëlidhja ka në përbërjen e saj mjaft lojtarë cilësorë, të cilët mund të arrijnë rezultate pozitive edhe në superligë.

Për këtë fazë mund të them se jemi ekipi më i mirë dhe, jo vetëm që do të mundim Adën, por të gjithë kundërshtarët në vazhdim. Rezultati dhe loja e Besëlidhjes patjetër që do të kënaqë sportshasit lezhjanë, të cilët kanë nisur ta mbushin stadiumin dhe të kenë më shumë besim te Besëlidhja. Mbrojtja, ku unë luaj, do të jetë një barrikadë e pakalueshme nga Ada,” - u shpreh futbollisti lezhjan, Armando Noka. Besëlidhja mban vendin e 5-të aktualisht, në kuotën e 34 pikëve.

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top