Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Besëlidhja, së paku në 4-shen e parë

Presidenti lezhjan, Gjok Noka, e quan detyrë fitoren në ndeshjen e nesërme me Lushnjën. Ndonëse kanë fituar një takim të vështirë në Pukë, përsëri lezhjanët ndodhen në të njëjtin vend në tabelë, në të 5-tin. Besëlidhja është e vetmja skuadër që ka arritur të fitojë në stadiumin e Pukës, ku kishte tentuar disa herë për të marrë 3 pikët, por duhej që të vinte 16 marsi që ky objektiv të materializohej. Ka qenë një sfidë e gjitha veriore dhe me shumë gjallëri. Ka qenë një festë e vërtetë e mërkura në Pukë, ku me mjaft sportivitet vendësit kanë “pranuar” që fituesin ta përshëndesin, edhe pse rrezikojnë rënien nga kategoria. Besëlidhja ka pasur mbështetjen e një numri të madh tifozësh, të cilët ishin thuajse të barabartë me ata vendës.

Tripikëshi i së mërkurës e ka shtuar optimizmin e skuadrës lezhjane, që zë vendin e 5-të, por që në fazën e dytë ka ecurinë më të mirë në kategorinë e parë. Presidenti Gjok Noka ka qenë më shumë i interesuar për takimin e Apolonisë në Bilisht sesa për Tërbunin:

“Eshtë një situatë, ku futbolli luhet më shumë jashtë fushe. Tani të gjitha takimet janë finale, por, përpos kësaj, duhet të interesohemi edhe për rivalët. Nëse do të ketë 50% drejtësi, Besëlidhja do të jetë në superligë, por, nëse kjo përqindje degradon, është problem tjetër. Mendoj se jemi në një vend që nuk përputhet me kualitetin tonë dhe së shpejti të paktën do të jemi në 4-shen e parë. Dua t’i falënderoj pukjanët, të cilët na respektuan dhe u sollën mirë me ne. Një falënderim edhe për tifozërinë lezhjane, që u tregua shumë e qytetëruar, por edhe atë pukjane, që e pranoi fituesin me shumë sportivitet.

Përpara kemi një takim të vështirë me Lushnjën, që do ta presim dhe do ta respektojmë sipas zakonit. Por zakoni e kërkon që të luhet në fushë dhe këtu ne do ta bëjmë respektin, duke luajtur ndershëm dhe duke shënuar. Besoj se edhe lushnjarët do të na e kuptojnë mikpritjen. Fitorja është detyrë dhe ne detyrat i realizojmë,” - do të thoshte mes të tjerash presidenti Noka për “Sportin shqiptar”. 

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top