Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Pepa: Lezhjanët s’kanë asgjë më shumë se Ada

Organizatori Vahedin Pepa beson se skuadra e tij mund të marrë pikë në Lezhë, pse jo dhe fitore. Pasojat e barazimit me Luftëtarin ende ndihen në kampin velipojak. Askush nuk e kishte menduar se Ada do të linte pikë me gjirokastritët, as autori i golit të vetëm në atë ndeshje, mesfushori Vahedin Pepa i cili gjuajti saktë nga pika e bardhë e penalltisë: “Ka qenë një barazim, që na ka mërzitur shumë, sepse kemi humbur shumë raste shënimi, por kemi patur edhe gjyqtarët kundër. Kurrsesi nuk duhej t’i linim ato dy pikë, sepse po kalojmë një formë shumë të mirë,” thotë Pepa për “Sportin shqiptar.

Shija e keqe e gjykimit në atë ndeshje është ende e freskët tek Ada. Aq më tepër, edhe pas dënimit të komisionit të disiplinës për presidentin Alfred Pjetri me 8 javë pezullim dhe 250 mijë lekë të reja gjobë. Në kampin velipojak mendojnë se çdo gjë ka qenë e qëllimshme dhe gjyqtarët, për të mos dalë në skenë për ndihmën që u dhanë gjirokastritëve në atë ndeshje, e kanë bëri zi relacionin, duke dënuar Pjetrin. Megjithatë, klubi velipojak ka bërë dje gati ankimimin, sepse mendojnë se nuk ka patur asgjë shqetësuese në atë ndeshje përveç reagimit të zakonshëm të njerëzve për mosdhënien e të paktën 4 penalltive. Por, rezultati nuk ndryshon dhe futbollistët e stafi drejtues kanë filluar nga puna për ndeshjen e radhës, që është ajo në Lezhë me Besëlidhjen.

Konsiderohet shumë e vështirë kjo ndeshje, por për mesfushorin Pepa mundësitë për të marrë pikë janë prezente: “Do të shkojmë në Lezhë për rezultat pozitiv, pse jo edhe fitore, sepse Besëlidhja nuk ka gjë më tepër se Ada. Lezhjanët ndoshta na nënvlerësojnë, por ne do të tregojmë vlerat tona” ka thënë ai. Fillimi i javës shënoi edhe ndryshimet në stolin velipojak, pas dorëheqjes së Rakiqit dhe emërimit të Krepit. Vahedin Pepa thotë se futbollistët në këtë ndeshje do të luajnë fort për ish trajnerin Rakiqi dhe për trajnerin aktual.

“Nëse marrim pikë, kuptohet që ato do t’i shkojnë si dedikim ish trajnerit Rakiqi, me të cilin kemi patur raporte shumë të mira, njëkohësisht edhe trajnerit aktual Krepi,” - shprehet organizatori i Adës. Por a është kjo skuadër e rrezikuar për rënien nga kategoria? Numrit 10 të bregdetarëve as nuk i shkon ndërmend një gjë e tillë, prandaj në fund do të thoshte: “Ada nuk do të bjerë nga kategoria. Për këtë duhet të jenë të sigurtë të gjithë. Ne do të renditemi në vendin e 7-të ose të 8-të në fund të kampionatit, për këtë të jenë të bindur të gjithë.”

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top