Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja bën detyrën, por mbetet e 5-ta

Lezhjanët fitojnë thellë, ndërsa pozicioni nuk ndryshon
Sporti Shqiptar - Besëlidhja ka mundur thellë Vlorën, duke e çuar në 9 numrin e fitoreve për fazën e dytë. Në fakt, nuk pritej rezultat tjetër, pasi përgatitjet gjatë javës e kanë gatuar këtë fitore. Ambicja për vendin e 4-t e ka bërë Besëlidhjen të pandalshme, por tashmë lezhjanët e kanë kuptuar mirë se jo çdo gjë varet prej tyre. Besëlidhja vinte pas fitores në Bilisht dhe ka menduar vetëm për 3 pikët. Lezhjanët kanë kërkuar që para tifozërisë së tyre të zhvillojnë një lojë të bukur, për ta bindur atë se e meritojnë të ngjiten në elitën e futbollit shqiptar. Dhe kështu ka ndodhur. Bruka hedh në fushë thuajse formacionin më të mirë. Mungojnë Stojkoviç e Shyti, por detyrohet ta lërë fushën edhe Maho, megjithatë Besëlidhja fiton me lojë e rezultat.

Loja nis e shpejtë dhe lezhjanët e kërkojnë avantazhin. Brenda 10 minutave kanë mundësi të shënojnë Asllani dhe Maho, por nuk finalizojnë, edhe pse në pozicion ideal. Rezultati zhbllokohet në minutën e 29-të, kur Gega dërgon në rrjetë me kokë topin e ardhur nga këndi prej Grudës. Ky gol i çliron lezhjanët, të cilët sulmojnë më shumë dhe krijojnë raste të pastra. Nga ana tjetër, Vlora mbrohet fort dhe e ul disi rrezikshmërinë e sulmuesve lezhjanë. Por këta të fundit e gjejnë golin e dytë në fund të pjesës së parë, përsëri nga një goditje standarde me anë të Grudës, nga një distancë rreth 30 metra.

Reagimi i vlonjatëve është i dobët dhe asnjëherë ata nuk e rrezikojnë portën lezhjane. Miqtë gabojnë në fillim të pjesës së dytë, kur me anë të Elmazit shkaktojnë autogol. Megjithatë, ata mendojnë të bëjnë diçka për sulmin dhe e vizitojnë shpesh Xhikën. Idrizi dhe Rustemi kanë gjuajtur disa herë, por portieri i Besëlidhjes nuk lejon prekjen e rrjetës. Besëlidhja merr 3 pikët, por pozicioni i saj në tabelë mbetet i njëjtë.

Besëlidhja - Vlora 3‑0
Besëlidhja: Xhika, Lika (Halili 57′), Shala, Prela, Noka, Camaj, Gruda, Asllani (Kulli 80′), Dervishi, Gega, Maho (Mazia 46′). Trajner: A. Bruka.
Vlora: Çepaj (Hasani 64′), Telushi, Elmazi, E.Hoxha, Guga, Rustemi, Hoxha, Strati, Idrizi, Prifti (Guna 46′), Plepi (Banushi 90′). Trajner: E. Strati.
Shënues: Gega 29′, Gruda 40′, Elmazi 59′ (autogol)
Gjyqtarë: B. Brashanaj, B. Mesi, E. Potomi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Gega, Telushi

Back To Top