Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, gati për të përballuar çdo situatë

Presidenti Gjokë Noka kërkon nga skuadra e tij vlerësim maksimal të çdo kundërshtari.
Sporti Shqiptar - Besëlidhja luan sot ndeshjen e radhës me Vlorën, pasi ka bërë përgatitje mjaft serioze gjatë javës. Stafi teknik ka kërkuar nga futbollistët të bëjnë kujdes, duke mbajtur qëndrim të prerë ndaj ndonjë shenje nënvlerësimi. Lezhjanëve u duhet që të jenë në lartësinë e duhur në të gjithë komponentët, sepse ndoshta do t’u duhet të luajnë edhe ndeshje shtesë. “Nuk mendojmë se do të na takojë të luajmë në “play-off”, por jemi përgatitur për të përballuar çdo situatë që mund të krijohet. Prandaj, skuadra do të jetë e vëmendshme në stërvitje deri kur të kemi marrë “ok”-in për në superligë,” - ka thënë për “Sportin shqiptar” presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka.

Krahas vlerësimit të përgatitjeve, lezhjanët vlerësojnë edhe Vlorën, që, sipas tyre, ka një skuadër që luan mjaft mirë futboll, pavarësisht vendit në klasifikim. Madje, ata i ruhen ndonjë befasie të vlonjatëve. Ky është mendimi i presidentit Noka, i cili është kërkues dhe thekson se në asnjë moment nuk duhet bërë as lëshimi më i vogël. Me Vlorën, ku ai nuk e diskuton fitoren e Besëlidhjes, ai kërkon nga skuadra që të zhvillojë lojë me nivel për tifozët lezhjanë, të cilët mendohet se do të jenë të shumtë në stadium. Në këtë ndeshje Besëlidhja do të jetë gati e plotë. Mungesa e vetme është ajo e mbrojtësit Stojkoviç, i cili është i skualifikuar.

Në këtë mënyrë, trajneri Alban Bruka ka mundësinë të hedhë ne fushë formacionin më të mirë, ndërkohë që mendohet se do të ketë hapësirë edhe për futbollistët e rinj. Ndonjëri nga këta të fundit mund të aktivozohet sot ndaj Vlorës. Besëlidhja do të luajë dy ndeshje radhazi në shtëpi, pasi një javë më pas pret Tërbunin, ndërsa nga ana tjetër lezhjanët shpresojnë se ndonjë nga rivalët të ndalet dhe ata të ngjiten në vend të 4-t.
 
Back To Top