Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja pret fitoren nga stoli me Luftëtarin

Trajneri Alban Bruka mendohet të mos ketë 5 titullarë, por ka besim të plotë te zëvendësuesit e tyre. 5 titullarë pritet t’i mungojnë skuadrës lezhjane këtë javë, Shala dhe Brkoviç të skualifikuar, si dhe Prela, Lika e Gega të dëmtuar. Jehona e ndeshjes me Pogradecin ka zgjatur pak si shumë këtë javë, për arsye se lezhjanët kanë besuar shumë në lojën e ndershme që do të zhvillohej atje, në kompensim të miqësisë e korrektësisë së fazës së parë. Sipas tyre, jo vetëm që nuk ka ndodhur kështu, por pogradecarët kanë bërë të kundërtën, sikur të ishin “masakruar” në Lezhë. Drejtuesit dhe futbollistët e Besëlidhjes pohojnë se Pogradeci ka luajtur ashpër dhe ka përdorur të gjitha makinacionet për ta fituar ndeshjen.

Madje, lezhjanët shprehen se janë fyer aq shumë, sa tani e tutje nuk i lidh asgjë me miqtë e vjetër. “Për këtë askush nuk duhet të keqkuptohet - thotë njëri nga drejtuesit e klubit, - pasi nuk kemi kërkuar e as nuk kërkojmë asgjë prej tyre, veç lojës korrekte, që nuk e gjetëm në Pogradec.” Veç kësaj, ndeshja me pogradecarët ka lënë pasoja, duke e reduktuar skuadrën e Brukës para sfidës me gjirokastritët. Janë disa titullarë të dëmtuar e të ndeshkuar, të cilët do të mungojnë ndaj Luftëtarit, madje janë ata që përbëjnë boshtin e skuadrës.

Shala, Prela, Berkoviç, por edhe Lika e Gega ka shumë mundësi të mos luajnë këtë javë, ndaj dhe lezhjanëve nuk u del inati për atë që ndodhi në Pogradec, ku ata morën një goditje të shumëfishtë. Edhe pse në këto kushte, lezhjanët janë të vendosur për t’i shkuar objektivit deri në fund dhe janë të betuar të mos gabojnë. Me përforcimet e bëra në fazën e dytë, duket se presidenti Noka ka parashikuar të përballojë çdo situatë. Futbollistët e ashtuquajtur të stolit vazhdimisht gjatë fazës së dytë kanë qenë të gatshëm dhe, sa herë kanë luajtur, kanë treguar se janë zevendësues të denjë të titullarëve.

Kjo pritet prej tyre edhe në ndeshjen me Luftëtarin, që asnjëherë nuk është konsideruar e lehtë, sepse kundërshtari ka traditë dhe tradicionalisht ka qenë i fortë. Halili, Kulli, Dervishi dhe Paloci mund të jenë ata futbollistë, të cilët trajneri Alban Bruka i ka provuar gjatë javës dhe mund t’i aktivizojë titullarë. Optimizmi i lezhjanëve është i madh dhe ata pohojnë se fitorja nuk duhet diskutuar. Mesfushori Mirsad Gruda, një nga ata me më shumë përvojë te Besëlidhja, e quan të kaluar me sukses Luftëtarin, por thekson se ndaj tij duhet përqendrim dhe qetësi. 

Burimi: Sporti Shqiptar
  
Back To Top