Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja s’i ndahet 4-shes, Bilishti drejt rënies

Edhe shpërblimi prej 6 mijë eurosh nuk i ka motivuar bilishtarët për të fituar me lezhjanët. Në të ashtuquajturën ndeshje për “jetë a vdekje”, bilishtarët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë. Edhe pse luanin në shtëpi dhe kishin një shpërblim prej 6 mijë eurosh, ata janë mundur nga Besëlidhja, që mbetet në vend të 5-të. Me këtë humbje Bilisht Sporti është me një këmbë në kategorinë e dytë. Besëlidhja e ka merituar plotësisht fitoren, që është arritur falë përvojës së futbollistëve të saj. Stojkoviç ka shënuar golin me vlerën e 3 pikëve në minutën e 23-të, por miqtë kanë qenë më këmbëngulës dhe Asllanaj e Gega mund të kishin dyfishuar përballë portierit Meraku, por “gardiani” bilishtar është bërë shpëtimtar. Islami shërben saktë për maqedonasin Stojanovski, që nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë. Pas 2 minutash, Gruda ekzekuton një goditje dënimi dhe Stojkoviç gjuan saktë me kokë dhe e dërgon topin në rrjetë, duke e kaluar Besëlidhjen në avantazh. Vendësit kanë raste më pas, por Xhika është i pakalueshëm. Në fund të pjesës së parë ka një rast Gruda, i cili nga një goditje sandarde e përplas topin në traversë dhe bilishtarët shpëtojnë nga goli i dytë. Në pjesën e dytë pritej reagimi i bilishtarëve, që në fakt nuk vjen. Camaj për lezhjanët gjuan nga larg dhe portieri Meraku bën mrekullinë. Stojanovski ka rastin më të mirë për të barazuar, kur del përballë portierit, por nuk gjuan në kuadrat, ndërsa në minutën e 70‑të është Lamnica që gjuan fuqishëm dhe gjen në pozicion portierin Xhika. Bilishtarët kanë një rast të mirë në minutën e 4-t shtesë, por Islami nuk arrin ta mposhtë portierin Xhika, që e nxjerr topin në këndore. Pas ekzekutimit të saj, Osmanaj godet traversën. Gjithçka mbyllet me fitoren e miqve nga Lezha, ndërkohë që bilishtarët tashmë janë dorëzuar, sepse vetëm ndonjë mrekulli mund t’i shpëtojë.


Bilisht Sport ‑ Besëlidhja 0‑1
Bilisht Sport: T.Meraku, Harka, Përe, Kote, Lamnica, Islami, Zylyftari, Miniç, Stojanovski, Nakamura (Braholli 46′), Hysolli (Osmanaj 61′). Trajner: T.Meraku.
Besëlidhja: Xhika, Lika, Stojkoviç, Prelaj, Ndoka, Gruda, Camaj, Gega, Dervishi, Asllanaj, Maho (Kulli 84′). Trajner: A.Bruka.
Shënues: Stojkoviç 23′
Gjyqtarë: M.Masha, D.Agaraj, D.Myftari (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Gruda, Xhika, Stojkoviç

Deklarojnë…
Spartak Meraku, president i Bilisht Sportit: “I riktheva futbollistët, sepse më premtuan fitore me Besëlidhjen, por kjo humbje më bindi që shumë nga ata nuk e meritojnë fanellën që kanë veshur.”

Alban Bruka, trajneri i Besëlidhjes: “Erdhëm në Bilisht me synimin për fitore dhe ia arritëm qëllimit. E merituam këtë trepikësh, por, të them të drejtën, më shumë e kisha mendjen te ndeshjet e Apolonisë dhe Kamzës. Kampionati ka edhe 4 javë dhe do të luftojmë për t’u ngjitur direkt në superligë.”

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top