Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Bilishti, ndeshja e sezonit për Besëlidhjen

Trajneri Bruka kërkon që transferta e kësaj jave të luhet brenda normave të lojës së futbollit. 2 transferta i kanë mbetur skuadrës lezhjane në këtë kampionat, ajo e së shtunës në Bilisht dhe e Beratit javën e parafundit. Fitorja me Luftëtarin i ka shërbyer Besëlidhjes për të ruajtur diferencën me vendin e 6-të, pasi edhe Apolonia rivale ka fituar dhe nuk ka pasur mundësi parakalimi. Kjo fitore ishte konsideruar një detyrim për skuadrës lezhjane, për të cilën ka pasur edhe kritika për nënvleftësim.

Apolonia po e administron mjaft mirë atë pikë që ka më tepër se lezhajnët, ndërkohë që në garë tashmë është përfshirë edhe Kamza, kështu që 5 javët e fundit do të jenë mjaft të ndezura sa i takon 4-shes së parë, zonës së privilegjuar të superligës. Në këtë situatë, lezhjanët kërkojnë së pari ta kryejnë sa më mirë detyrën e tyre, duke pritur ndërkohë që dy rivalet e sipërpërmendura të gabojnë. Në fakt, parashikime bëhen, nëse do të luhet ndershëm dhe shpresat janë të mëdha.

Besëlidhja ka edhe favorin se 3 nga 5 ndeshjet e mbetura të kampionatit do t’i luajë në fushën e saj, kurse transfertat janë ato të Bilishtit dhe Beratit. Janë të gjitha ndeshje shumë të vështira dhe lezhjanët e kanë të qartë se nga rezultati i tyre varet edhe ngjitja në superligë. Trajneri Bruka kërkon që ndeshjet t’i marrë sipas radhës dhe e gjithë aktualisht është përqendruar te Bilisht Sporti. Kjo ndeshje është jetike për skuadrën lezhjane, pse jo dhe ndeshja e sezonit. “E dimë që me Bilisht Sportin do të jetë një ndeshje shumë e fortë, ndoshta më e forta e javëve të fundit dhe do të dëshiroja që ajo të luhet brenda normave të lojës së futbollit,” - ka theksuar trajneri Bruka për “Sportin shqiptar”.

Ai ka shtuar më tej: “Bilishtarët luajnë për mbijetesë dhe ne luajmë për superligë, por kjo nuk ka pse t’i cënojë rregullat e lojës së ndeshme. Me bilishtarët kemi dhe duam t’i mbajmë marrëdhëniet të mira.” Mobilizimi dhe motivimi i futbollistëve duket së janë në shkallën më të lartë, kështu që besohet se sfida me bilishtarët do të kalohet me sukses, për të mësuar më pas se çfarë është bërë në stadiumin “Roza Haxhiu”, në derbin myzeqar.

Plotësohet grupi lezhjan, rritet besimi
Pasi ka filluar dje pasdite përgatitjet për transfertën e së shtunës, trajneri lezhjan ka shprehur kënaqësinë se të gjithë futbollistët i ka në dispozicion. Pustina a ka filluar javën me mendimin për të luajtur të shtunën, ndërsa Shala është riaftësuar plotësisht. Edhe Gega, i cili e përballoi pjesën e dytë në ndeshjen me Luftëtarin, do të jetë në dispozicon. Pra, lezhjanët, si në pak ndeshje të këtij sezoni, do të kenë mundësinë të zbresin në fushë me përbërjen më të mirë.

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top