Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Java 24: Pogradeci - Besëlidhja 2:0

Gjorgji Kyçyku mbetet tabu për Pogradecin. Edhe Besëlidhja, ashtu si të gjithë ekipet e tjera në këtë sezon, ka dalë pa pikë në Pogradec. Lezhjanët të cilët shkonin me pretendimin për të marrë një pikë të çmuar në Pogradec, janë mundur me rezultatin 2:0 nga vendasit. Autorët e golave kanë qenë Pengu në pjesën e parë dhe Raboshta në pjesën e dytë. Janë liqenorët që i japin tonin lojës, duke luajtur fuqishëm në mesfushë dhe duke krijuar edhe raste për shënim. Tanushi, i rikthyer, nuk luan më shumë se 10 minuta, pasi dëmtohet përsëri. Emocionet shtohen nga disa raste para portës lezhjane, që nuk shfrytëzohen nga vendësit, të cilët e shtojnë presionin dhe Eminhazeri e kërcënon shpesh mbrojtjen mike. Lezhjanët e kanë të vështirë ta përballojnë furinë liqenore dhe në minutën e 19-të dorëzohen, duke pësuar golin e parë, që shënohet nga Pengu. Lojtarët e Besëlidhjes hutohen nga ky gol dhe nuk arrijnë të organizohen edhe për arsye se Pogradeci mbrohet mirë.

Pas minutës së 33-të, sulmuesi Maho rrezikon me një gjuajtje nga larg. Eshtë po ky futbollist që kërkon të gjejë ndonjë të çarë në mbrojtjen vendëse, por e ka të pamundur, pasi mesfusha pogradecare kësaj radhe është në një ditë mjaft të mirë dhe i vjen në ndihmë mbrojtjes. Liqenorët e mbyllin pjesën e parë me një gol, por duke treguar vlera dhe duke sulmuar fuqishëm. Besëlidhja nuk e pranon rezultatin dhe në pjesën e dytë organizohet e mundohen të shënojë, por përsëri miqtë nuk kanë qetësinë e duhur. Pogradeci sulmon edhe në këtë pjesë, duke ruajtur ritmin, por lojtarët e tij falin gola thuajse të sigurt. Bashkëpunimi i Raboshtës me Eminhazerin krijon edhe rastin e golit të dytë, që vjen si rezultat i sulmeve të vazhdueshme dhe mban firmën e sulmuesit shkodran.

Lezhjanët nuk e pranojnë këtë gol dhe të keqen kujtojnë se e kanë nga Eminhazeri, pa dyshim më i miri në fushë. Berkoviç godet kosovarin dhe, pas rrëmujës që krijohet në fushë, gjygjtari e nxjerr me të kuqe lojtarin e Besëlidhjes, si dhe trajnerin Bruka. Më pas loja vazhdon e qetë. Maho dhe Gega bashkëpunojnë për ta ngushtuar rezultatin, por portieri Ametli tregon vlera dhe nuk lejon që në portën e tij të shënohet. Nga ana tjetër, mbrojtësit Çajku dhe Drazhanin dinë ta ndihmojnë sulmin. Një fitore e merituar për vendasit të cilët patën më shumë raste edhe ishin më konkret para porte. Një humbje që ka zhgënjyer jashtë mase tifozerinë lezhjane të cilët ishin të pranishëm në stadium për të përkrahur ekipin e tyre. Ajo që e bën më pak të hidhur këtë rezultat negativ të Besëlidhjes, është humbja e Apolonisë në Mamurras me rezultatin 1:0. Falë humbjes së fierakëve, Besëlidhja është akoma në lojë për Superligën pasi ndodhet vetëm një pikë nga vendi i katërt Apolonia. Ndeshja e rradhës do të jetë Besëlidhja - Luftëtari.

Pogradeci - Besëlidhja 2:0 
Pogradeci: Ametlli, Kllogjëri, Drazhanin, Çerepi, Çajku, Pengu (Molla 84′), Çipi, Elmazi, Eminhazeri (Çekiçi 76), Tanushi (Çela 10′), Raboshta. Trajenr: Y.Çekiçi.
Besëlidhja: Xhika, Prelaj, Shala (Ndoka 46′), Stojkoviç, Gruda (Halili 84′), Lika, Camaj, Maho, Berkoviç, Gega, Asllanaj. Trajner: A.Bruka.
Gjyqtarë: Sh.Guçe, D.Koreshi, E.Prifti (Lushnjë)
Shënues: Pengu 19′, Raboshta 72′
Kartonë të verdhë: Prela, Shala, Elmazi, Drazhanin
Kartonë të kuq: Berkoviç, Bruka

Burimi: ksbeselidhja.com
    
Back To Top