Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Maho: Besëlidhja, e aftë të fitojë në Bilisht

Sulmuesi i lezhjanëve, Rezart Maho, kërkon kujdes maksimal nga shokët dhe premton gol. 8 gola ka shënuar Maho me fanellën e skuadrës lezhjane, duke qenë i dyti në listën e shënuesve të saj, pas Gegës. 2 herë ka shënuar sulmuesi në ndeshjen e fazës së parë, kur Besëlidhja fitonte 4-0 ndaj bilishtarëve. Besëlidhja po përgatitet intensivisht për ndeshjen me Bilisht Sportin në transfertë. Grupi është i plotë, kështu që edhe mundësia e trajnerit Bruka për formacionin më të mirë është një rast i krijuar në momentin e duhur.

Tani trajnerit lezhjan i duhet të zgjedhë ata që janë në formën më të mirë për ta fituar këtë ndeshje, gjë që e dëshirojnë të gjithë në qytetin verior, pasi e duan Besëlidhjen në superligë. Nga ana tjetër, pranohet dhe fakti se shkalla e vështirësisë është e lartë. Sulmuesi kryeqytetas, Rezart Maho, është optimist për një rezultat pozitiv të skuadrës së tij, duke gjykuar se Besëlidhja ka ardhur në një formë shumë të mirë dhe se do të luajë me formacionin më të mirë. “Besojmë te fitorja, sepse realisht i kemi mundësitë për ta bërë këtë.

Besëlidhja është e kompletuar në të gjitha repartet për këtë ndeshje dhe nuk shoh asnjë arsye për të mos u kthyer me 3 pikë,” - thekson Maho, i cili e vlerëson si një element thelbësor frymën e grupit në skuadër. “Të gjithë janë entuziastë, të përgjegjshëm dhe të karikuar për fitore në Bilisht. Me këtë gjendje shumë të mirë që gëzojmë, them se asnjë kundërshtar nuk na del përpara,” - shton më tej Maho, një nga shënuesit më të mirë të skuadrës lezhjane. Ai është bërë shpesh protagonist, edhe pse në shumë ndeshje është aktivizuar më i tërhequr në mesfushë.

Ndërkohë që bën apel për kujdes maksimal në ndeshjen e së shtunës, kryeqytetasi shpreson që t’i shërbejë skuadrës, duke shënuar në Bilisht. “Jemi në një moment, kur nuk duhet gabuar, ndaj dhe do të kërkoja që të gjithë të jemi shumë të kujdesshëm në veprimet tona. Duhet ta interpretojmë me qetësi këtë ndeshje, duke parë vetëm punë tonë, për të mos rënë pre e ndonjë provokimi të mundshëm. Ndërsa në aspektin personal parandiej se do të shënoj në Bilisht,” - e ka mbyllur fjalën e tij futbollisti i Besëlidhjes, Rezart Maho. Lezhjanët kërkojnë që FSHF-ja të caktojë gjyqtarë kompetentë për ndeshjen e Bilishtit.

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top