Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Maho dhe Gega tërheqin Besëlidhjen

Lezhjanët e kanë fituar thellë ndeshjen me Luftëtarin, që është përpjekur për të marrë pikë, por ka dalë me 3 gola të pësuar, dy nga të cilët mbajnë firmën e Mahos dhe një të Gegës. Vetëm pas tri minutash të qeta, Besëlidhja gjen avantazhin. Lezhjanët shënojnë me Mahon, i cili shfrytëzon një goditje standarde dhe ngjitet në kuotën e 7 golave. Ky gol sikur i frenon pak në lojë vendësit, të cilët janë disi të tërhequr, ndërkohë që gjirokastritët nuk arrijnë të reagojnë si duhet. Vetëm Braho mudohet të bëjë diçka, por nuk ka mbështetje dhe ndalet nga mbrojtësit lezhjanë. Shumë pak për të thënë për pjesën e parë, ku mungojnë rastet për shënim dhe goditjet drejt kuadratit të Luftëtarit. Megjithatë, Besëlidhja ka qetësinë që i jep avantazhi, edhe pse minimal. 

Krejt ndryshe është pjesa e dytë, sepse edhe Luftëtari beson se mund të barazojë, kështu që lojtarët e tij lëvizin më shumë. Kështu, sulmet e miqve drejt portës së Xhikës janë më të shpeshta, por nuk kanë rrezikshmërinë e duhur. Rastin më ideal për Luftëtarin e ka Braho në minutën e 70-të, kur gjuan brenda zonës dhe topi përplaset në traversën e Xhikës. Miqtë humbasin kështu një rast të artë për të barazuar, ndërkohë që lojtarët e Besëlidhjes shkunden nga fundi i ndeshjes. Sulmi, me Mahon, Gegën dhe Asllanin, e vë në alarm mbrojtjen e Luftëtarit, që reziston deri 6 minuta para se të mbyllet ndeshja. Në këtë moment Maho do të shënonte edhe golin e dytë, duke prerë shpresat e gjirokastritëve për pikë në Lezhë. Pas 3 minutash, shënuesi më i mirë i Besëlidhjes, Gega, vulos rezultatin në 3-0. Një fitore e thellë e Besëlidhjes, por, para së gjithash, duhet thënë se në këtë 90-minutësh është luajtur një futboll shumë korrekt. Të dyja palët i kanë respektuar mjaft mirë rregullat e fair-play-it, duke treguar respekt për kundërshtarin.

Besëlidhja - Luftëtari 3‑0
Besëlidhja: Xhika (Danaj 86′), Noka, Lika, Stojkoviç, Prela, Asllani, Camaj, Dervishi, Gruda (Halili 68′), Kulli (Gega 46′), Maho. Zv/trajner: G.Zenuni.
Luftëtari: Gërxholli, Sinani, Brahimi, Shalari, Kandella, Mehja (Shehaj 71′), Stoja, Grabova (Kozaku 66′), Braho, Përfati (Thimio 8′), Ramadani. Trajner: M.Hysi.
Shënues: Maho 3′, 84′, Gega 87′
Gjyqtarë: R.Sadiku, A.Mahmutaj, E.Gançi (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Camaj, Kandella, Thimio

Deklarojnë…
Gledis Zenuni, zv/trajner i Besëlidhjes: “Luftëtari mund të duket një kundërshtar i lehtë në letër, por e dinim që nuk është kështu, prandaj u përgatitëm mirë gjatë javës. Vlerësimi ka qenë maksimal, sepse ishim të vendosur për ta fituar këtë ndeshje, që e kemi zgjidhur shumë shpejt. Nuk e di pse skuadra u rëndua psikologjikisht. Ndoshta lojtarët ishin nën presionin e një fitoreje të thellë.”

Mustafa Hysi, trajner i Luftëtarit: “Jam i kënaqur me lojën e skuadrës, pavarësisht humbjes së thellë. Mendoj se përballë Besëlidhjes luajtëm mirë, veçanërisht djemtë e rinj që u aktivizuan. Besëlidhja ka objektiva të mëdha dhe uroj që t’i realizojë.”

Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top