Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Në Lushnjë ka një denoncim: U shit me Apoloninë!

Mbrojtësi E.Sula pohon se është telefonuar nga trajneri Memushi, i cili i ka kërkuar t’i kthejë paratë.
Sporti Shqiptar - Dyshimet për shitjen e ndeshjes dhe për neglizhim total nga ana e lushnjarëve shtohen, kur njëri prej futbollistëve, Erion Sula, shprehet se ka të dhëna për tolerim nga shokët e skuadrës. “Kam marrë një telefonatë nga ana e profesor Eqerem Memushit, i cili, pasi është prezantuar, më ka thënë se kërkonte t’i ktheheshin paratë e dhëna, sepse unë kisha luajtur mjaft fort në ndeshjen me Apoloninë. Memushi më ka thënë shprehimisht: “Ke luajtur fort, mor djalë, dhe nuk kishim rënë dakord kështu, pasi të tjerët e kanë bërë pjesën e tyre.” Jam çuditur dhe i kam kërkuar shpegime Memushit në telefon, kurse ai më tha: “Mos bëj sikur nuk di gjë, sepse e kam parë diellin para teje. Duhet të më kthesh paratë që kam dhënë për ty, përndryshe do të vij në Lushnjë. I jam përgjigjur se nuk kam dijeni për çfarë fliste dhe se mund të shkoja unë në Fier për ta takuar.”

Kjo është dëshmia e Erion Sulës, mbrojtësit lushnjar, i cili hedh dyshime jo vetëm për shitje të ndeshjes nga shokët e skuadrës. “Megjithatë, nuk mund ta vë dorën në zjarr dhe të them se kush mund të ketë qenë nga skuadra jonë, por kësaj çështjeje do t’i shkoj deri në fund. Do të shkoj në prokurori dhe ta denoncoj një ngjarje të tillë, që, nëse vërtetohet se është ashtu siç thotë Memushi, na bën të mendojmë si skuadër se kush e ka shitur djersën tonë dhe paratë e të gjithë taksapaguesve lushnjarë,” - ka shtuar më tej futbollisti lushnjar, Erion Sula.

Pritet të sqarohet situata në kampin lushnjar dhe të merren masat përkatëse, nëse kjo ngjarje del e vërtetë. Fjalën e fundit do ta thotë organi kompetent pas kallëzimeve të futbolistëve lushnjarë.
    
Back To Top