Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Besëlidhjes s’mund t’ia privojnë superligën

Presidenti Gjokë Noka i habitur: S’e kisha menduar se gjërat mund të bëhen kaq hapur si në Lushnjë
Sporti Shqiptar - Kanë mbetur edhe 4 ndeshje nga fundit i kampionatit dhe në kampin lezhjan janë të dukshme “ethet”, pasi hapësirat zvogëlohen gjithmonë e më tepër sa i takon ngjitjes direkte në superligë. Besëlidhja duhet të parakalojë Apoloninë, që po e ruan fort avantazhin e një pike. Lezhjanët kanë skuadrën më të suksesshme të fazës së dytë, duke rikuperuar shumë pikë dhe duke e ngushtuar ndjeshëm diferencën me Apoloninë dhe Kamzën, por përsëri kjo nuk mjafton. Eshtë e qartë që Besëlidhja po vuan gabimet e fazës së parë, sidomos në ndeshjet brenda dhe në ato në transfertë me skuadra të vogla.

Në Lezhë janë falur 6 pikë me anë të barazimeve, ndërkohë që shumë kanë ndikuar humbjet me skuadrat debutuese. Gjatë viteve të fundit lezhjanët janë ndëshkuar vetëm për një apo dy pikë, madje, kur Besëlidhja ka rënë nga superliga herën e fundit, vetëm një pikë e ndante nga skuadra që qëndoi. Edhe tani Besëlidhja qëndron vetëm 1 pikë larg zonë që të çon direkt në superligë, por janë edhe 4 ndeshje, ku lezhjanët shpresojnë ta eliminojnë këtë diferencë. Avantazhi i Besëlidhjes është se vetëm një ndeshje do ta luajë në transfertë, kurse Apolonia dhe Kamza kanë nga një më shumë.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë se secila nga këto skuadra do të jetë në gjendje t’i përballojë më mirë sfidat e mbetura. Po ashtu, mbetet për t’u parë se sa ndershmërisht do të luhet. Dilemat dhe paragjykimet janë të mëdha dhe vetëm 4 javët në vazhdim do të japin përgjigjen e saktë, ndërsa lezhjanët janë skeptikë. Sidoqoftë, presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka, shprehet se detyra e skuadrës së tij është që të marrë maksimumin e pikëve. “Besëlidhja ka për detyrë të marrë edhe 12 pikë në 4 ndeshjet e fundit, të tjerat nuk janë në dorën tonë. Nuk e kisha menduar kurrë se gjërat mund të bëheshin kaq hapur, siç ndodhi në Lushnjë apo në Velipojë.

Nuk e kisha menduar se presidentëve, kolegëve të mi, mund t’u dalë gjendja jashtë kontrollit në këtë mënyrë. Në këto kushte, kam dalë në konkluzionin se mund ta meritosh superligën, por fare mirë mund të ta privojnë ato skuadra, që asnjëherë nuk e kanë parë dhe nuk e dinë se ç’do të thotë të luash me më të mirët,” - thekson presidenti Noka. Gjithsesi, ai i beson shprehjes “shpresa vdes e fundit” dhe mbetet optimist se mundi dhe djersa e skuadrës së tij nuk do të shkojnë dëm. Ai beson se ka presidentë, të cilët do t’i orientojnë skuadrat e tyre për të mos lëshuar, mbase edhe për interesa të skuadrës lezhjane, që e meriton pas disa vitesh rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. 
       
Back To Top