Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Presidenti Noka, lutet: Do Zoti s’ka më pazare!

Nga sa po kuptohet, Besëlidhjes do t’i duhet një ndeshje shtesë për të kaluar në superligë
Sporti Shqiptar - Do të jetë shumë e vështirë që Besëlidhja, në fund të kampionatit, të jetë ndër 4 skuadrat e para, që ngjiten direkt në superligë. Objektivi duket shumë i vështirë për t’u arritur pa ndeshje shtesë. Mënyra si po luhet javët e fundit sikur po i zbeh shpresat e lezhjanëve për rrugën më të lehtë të ngjitjes. Presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka, i cili ka pak kohë në futboll, po mëson shumë gjëra. Ai ka besuar në drejtësi e ndershmëri, por është befasuar dhe zhgënjyer nga mënyra si luajnë rivalët. Rezultatet e disa skuadrave e kanë prishur humorin e lezhjanëve.

“Nuk ke asgjë të sigurt, pasi ndeshjet janë bërë pazare, që vështirë të merren vesh. Në këto kushte, nuk mund t’i besosh vetvetes për ta realizuar objektivin,” - ka thënë presidenti Noka. Besëlidhja ka edhe 3 ndeshje, me Tërbunin dhe Mamurrasin në Lezhë, ndërsa me Tomorin në Berat. Ata mendojnë që së paku vetë të mos gabojnë, edhe pse transferta beratase është mjaft e vështirë. Tashmë në Lezhë të gjithë e kanë të qartë se kaq mjafton, pra vetëm fitoret e tyre. Madje, ata e dinë mjaft mirë se tani ka vetëm pazare në kurriz të tyre.

Nisur edhe nga ndeshjet e mbetura të rivalëve, lezhjanët bëjnë llogaritë, duke parë se kush mund t’u bëjë rezistencë rivalëve të tyre. Një mundësi është shpërdoruar të shtunën që shkoi në Mamurras, ku ekipi vendës ishte në avantazh të dy golave dhe më pas hapi portën. “Do Zoti, por edhe FSHF ja, që dukuri të tilla të mos përsëriten,” - është lutur presidenti i Besëlidhjes, Gjokë Noka. Sidoqoftë, Besëlidhja duhet të përgatitet për më të vështirën. Dukuritë e ndeshjeve të fundit i kanë dhënë sinjalet shumë të qarta. Ndoshta do t’i duhet të luajë një ndeshje shtesë për ngjitjen në superligë.

Back To Top