Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Xhika: Besëlidhja thyen “mitin” e pogradecarëve

Portieri i lezhjanëve, Dashamir Xhika, beson se skuadra e tij do t’u marrë pikë kryesuesve. 3 gola ka pësuar portieri Xhika që kur mbron portën lezhjane, pra në 9 ndeshje, 8 të fazës së dytë dhe 1 e prapambetur nga faza e parë. Lezhjanët kanë udhëtuar që dje drejt Pogradecit, duke i dhënë vlerësimin dhe vëmendjen maksimale sfidës me ekipin vendës, që kryeson renditjen prej kohësh. Besëlidhja kërkon ngjitjen e të paktën një shkalle në tabelën e renditjes për të qenë në 4-shen e parë.

Dhe këtë synon ta bëjë në transfertën e vështirë të Pogradecit, duke shpresuar që edhe Apolonia të gabojë në Mamurras. Për sfidën e sotme, përgatitjet janë bërë me shumë kujdes, ndaj dhe optimizmi për një rezultat pozitiv është i madh. “Gardiani” i portës lezhjane, Dashamir Xhika, një ndër pikat më të forta të Besëlidhjes, është një nga që besojnë më shumë për t’u kthyer me pikë nga Pogradeci. Ai gjykon nisur nga gjendja e mirë e ekipit, që ka bërë shumë përmirësime gjatë ditëve të ndërprerjes së kampionatit, pasi stafi teknik i ka shfrytëzuar në maksimum.

“Për ndeshjen në Pogradec kemi “investuar” shumë, duke bërë përgatitje speciale. Nuk ka arsye të mos e kërkojmë me ngulm rezultatin pozitiv. Kundërshtari i radhës nuk mund të vlerësohet përtej vlerave që mbart realisht dhe, pavarësisht respektit që meriton Pogradeci, them se mund ta kalojmë,” - thekson për “Sportin shqiptar” portieri kryeqytetas. “Ata udhëheqin kampinatin prej kohësh, - vazhdon ai, - por kjo nuk do të thotë se janë të pathyeshëm. Në fazën e parë Pogradeci i ka shpëtuar humbjes në Lezhë, ku, siç më kanë thënë shokët e ekipit, homologu im Bytyçi ishte në një ditë të shkëlqyer.

Tani ai nuk e mbron më portën pogradecare dhe për Besëlidhjen nuk ka më pengesa. Shkojmë në Pogradec me mendësi fituesi dhe besoj se do të kthehemi fitimtarë.” Lezhjanët janë shumë e motivuar për përballjen me liqenorët dhe pritet një lojë e bukur nga ana e tyre. Besëlidhja është në formë dhe stafi ka kërkuar që ndaj kryesuesve të luhet me mendim dhe koncept, ose siç thuhet, rëndom: të mos i bihet topit kot.
 
Burimi: Sporti Shqiptar
   
Back To Top