Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Alcani i Besëlidhjes: sfidë për penalltitë

Alert Alcani do të luajë në krahun e djathtë të mbrojtjen në ndeshjen me Dinamon, një rol jo shumë i pëlqyer nga ai, por për nevoja të skuadrës duket se e ka pranuar. E di që do ta ketë të vështirë me sulmuesit blu, ashtu siç do të vuajë e gjithë skuadra, por nuk e quan aspak të pamundur kalimin me sukses të kësaj prove. Mbrojtësi shtatlartë lezhjan premton se në zbatimin e detyrave do të jetë racional. “Do të kryej me rigorozitet detyrat e mia si mbrojtës krahu, duke qenë i përqendruar, i matur dhe i vëmendshëm, ndërsa do të ndihmojmë njëri-tjetrin sidomos në detyrat mbrojtëse që siç duket do të jenë prioritare për ne”, shprehet lojtari. 

Ndërkohë që përgatitjet kanë përfunduar, Alcani pohon se skuadra ka punuar mjaft mirë në çdo aspekt. Për të e rëndësishme është që skuadra të luajë e çliruar psikologjikisht, pasi nuk ka çfarë të humbasë, ndërsa Dinamo do të jetë nën presion. Një koefiçent të lartë në këtë ndeshje do të ketë edhe fati, që Alcani nuk e përjashton dhe e mendon se do të jetë me skuadrën e tij. “Në këtë ndeshje do të vendosë shumë edhe fati, i cili lutem të jetë me ne. Kush shënon më parë, kush gjuan më mirë penalltitë kanë të bëjnë me fatin që parandjej se do ta kemi në anën tonë”, thotë mbrojtësi. Lezhjani nuk ka përjashtuar mundësinë që fatin e kësaj ndeshjeje ta vendosin penalltitë. Madje ai ka dhënë siguri se në skuadrën lezhjane ka futbollistë që i ekzekutojnë ato shumë më mirë se lojtarët e Dinamos dhe kjo mund të jetë dhe mënyra që sipas tij skuadra lezhjane do të arrijë fitoren. 

Por sidoqoftë, lezhjanët janë të vendosur për t’u ruajtur në minutat e para për të mos pësuar. “T’u ruhemi minutave të fillimit të lojës dhe deri në fund të jemi të përqendruar sidomos në mbrojtje. Ndërsa futbollistët e tjerë mund të na japin kënaqësinë e golit me kundërsulm. Edhe kjo mund të ndodhë. Kam  shume besim tek Maho, Asllani e Gega”, ka përfunduar Alert Alcani.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top