Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, një fitore me shumë “dashuri”

Skuadra lezhjane e ka pritur dhe asnjëherë nuk e ka vënë në diskutim fitoren e djeshme ndaj pukjanëve. Edhe pse me një gol të shënuar që përkthehet në rezultat minimal, vendasit asnjëherë nuk e kanë diskutuar, teksa shpërdorimet e lezhjanëve kanë qenë të shumta, madje edhe foshnjarake. Lezhjanët në këtë ndeshje nuk kanë pasur shërbimin e sulmuesit kryesor të tyre Ermal Gega, mungesë e cila është ndjerë dukshëm, teksa dhe pukjanët erdhën në këtë takim me katër mungesa të rëndësishme. Megjithatë, përfundimisht ndeshja ka përfunduar në favorin e lezhjanëve, që kanë marrë tre pikët e vlefshme, ndërkohë që duhet theksuar se është zhvilluar një lojë “fair play” i vërtetë e pa asnjë ndëshkim, madje qoftë dhe qortim nga shkodrani Lapi. Një lojë, që për nga korrektesa dhe ndershmëria i ka kaluar edhe caqet, duke mbetur brenda kufinjëve të një miqësoreje, në aspektin e sjelljes së futbollistëve në fushën e lojës. Edhe njëherë këto dy skuadra kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes tyre, gjë që ka filluar shumë kohë më përpara.

Ashtu siç kishte premtuar tekniku Bruka, loja e skuadrës së tij që në fillim ka pasur theks sulmues. Që në minutat e para, lezhajanët kërkojnë të gjejnë avantazhin dhe ai mund të arrihej shumë shpejt, madje vetëm pas një minute lojë, nëse mesfushori Dervishi nuk do të vonohej në gjuajtje. Pas një minute edhe Kulli do të bënte të njejtën gjë, por ky fillim i shpejtë sikur dha një sinjal, se Besëlidhja do të shënonte shpejt. Në vijën e parë është Maho e Kulli që ka zëvendësuar Gegën, por shumë problematik bëhet edhe mesfushori Dervishi, që është i pakursyer në goditjet e portës së Selimit. Sidoqoftë, goli vjen shpejt. Ka qenë i riu 18-vjeçar Kulli, që me kokë ka kaluar në avantazh Besëlidhjen por pas këtij goli do të rritej dhe ritmi i lojës së vendasve. Tashmë Besëlidhja luan me tre sulmues, krijon raste të shumta për shënim, një pjesë e të cilave shpërdorohen fatalisht, ndërsa pukjanët detyrohen të mbrohen me forca të shumta. Minutat e fundit të fraksionit të parë kanë qenë vërtetë dramatike për pukjanët, që vetëm gardiani i tyre Selimi, me paraqitjen e shkëlqyer të tij ka frenuar lezhjanët për të thelluar rezultatin. Kanë qenë të pafalshme rastet e Asllanit, Mahos e Kullit, të cilët nuk kanë arritur të mposhtin portierin pukjan. Ndërkohë që miqtë kanë bërë shumë pak, vetëm dy vizita në portën e Xhikës, ajo e minutës së 26-të dhe e minutës së 32-të, pavarësisht rrezikshmërisë së tyre.

E njejta tabllo paraqitet edhe në pjesën e dytë. Lezhjanët kanë kërkuar me insistim të gjejnë golin e dytë por Selimi bëhet hero i pukjanëve, që në tre raste mjaft të pastra pret në mënyrë të shkëlqyer. Madje ka qenë një pjesë mjaft e suksesshme për Selimin, i cili ka frenuar edhe Dervishin, Kullin dhe Asllanin, në tentativat e tyre për të dyfishuar rezultatin. Selimi ka pritur edhe një 11 metërsh të Mahos në minutën e 52-të dhe nuk ka lejuar deri në fund të takimit prekjen e rrjetës. Në minutat e fundit të takimit, lezhjanët sikur lëshojnë, por dhe sulmuesit nuk kanë mundur të shmangin sëmundjen e egoizmit, pavarësisht paralajmërimit disa ditë më parë të teknikut të tyre. Sidoqoftë, Besëlidhja ka koleksionuar edhe tre pikë të tjera, që bëjnë të mundur ruajtjen e ritmit shumë të mirë të saj në fazën e dytë të këtij edicioni.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top