Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, largohet trajneri Bruka

Një ndeshje tepër e vështirë për lezhjanët, është cilësuar ajo në Berat, që për fat të keq edhe ditët në dispozicion të përgatijeve për të, kanë qenë minimale. Askush nuk ka dëshirë të prononcohet për këtë ndeshje, ndërkohë ngrejnë supet dhe artikulojnë qartë, “është një ndeshje shumë e vështirë”. Dhe për këtë ndeshje përgatitjet kanë filluar e përfunduar dje, pasi skuadra sot udhëton për në Berat. Gjithçka është bërë si në emergjencë. Shumë pak kohën për përgatitje që është reduktuar në një test kontrolli, ndërkohë që Bruka nuk është parë në stërvitje e në fillim të saj ka veshur tutat ish-trajneri i dikurshëm i skuadrës lezhjane, Ridvan Kulli. Lidhur me këtë nga drejtuesit e klubit nuk ka patur asnjë koment. Argumenti, jemi të përqëndruar në ndeshjen e radhës, që vlen sa sezoni.

Ndërkohë që ngarkesa për këtë ndeshje do të përballohet nga përgatitjet e mëparshme, lezhjanët janë me fat se për sfidën me beratasit do të kenë të gatshëm pothujase të gjithë futbollistët. Nuk ka të skualifikuar dhe kthehet Gega, por për çudi është rikuperuar shumë shpejt edhe Lika që ka treguar gadishmëri për të dhënë kontibutin e tij në këtë sfidë të rëndësishme. Ndërsa futbollistët duket se janë të mobilizuar për të dhënë maksimumin, i vetmi prej tyre që e thyen heshtjen është mesfushori i krahut majtë Mirsad Gruda. Një futbollist që ka provuar të luajë edhe në kategorinë e parë të dikurshme (sot Superioria), shprehet se nuk duhet patur frikë asnjë kundërshtar. “Patjetër që është ndeshje shumë e vështirë, pasi luajmë me skuadrën e vendit të dytë të disa javëve. Luajmë me një skuadër që ka patur rezultate e qëndrueshmëri a aq më keq për ne, në fushën e tyre, ku ata janë shumë të fortë. Por ne duhet të japim më të mirën dhe mundësitë i kemi, sepse grupi është i gatshëm. Unë kam besim se duke dhënë më të mirën e mundshme mund të shpërblehemi”, shprehet Gruda.

Sidoqoftë nga testi i djeshëm, duket se nesër në Berat, loja e skuadrës lezhjanë do të jetë më shumë mbrojtëse për të mos pësuar, duke menduar se edhe barazimi mund të konsiderohet i favorshëm për ta. Në fazën e parë Besëlidhja ka fituar në Lezhë, por tani dihet mirë se gjërat kanë ndryshuar dhe vështirësia do të jetë e madhe. Asaj i duhen pikët plota kurse vendasve u mjafton edhe një pike, që edhe matematikisht të jenë të sigurtë. Ka shumë të ngjarë që skuadrën lezhjane në këtë ndeshje ta drejtojë trajneri i të rinjve, Ridvan Kulli.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top