Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Dinamo dërgon “spiun” në Lezhë

Stadiumi “Niko Dovana” i qytetit të Durrësit, ku Besëlidhja do të zhvillojë ndeshjen e plejofit me ish-kampionët dinamovitë, nga lezhjanët konsiderohet si fushë me fat për ta. Pas marrjes së njoftimit se ndeshja do të zhvillohet në Durrës, lezhjanëve u është kujtuar suksesi i para disa viteve kur luante në Kategorinë e Parë të asaj kohe, që në këtë stadium kishte fituar dy ndeshje radhazi, njërën me vendasit durrsakë e tjetrën me vlonjatët, kur fusha e Besëlidhjes ishte dënuar përkohësisht për disa veprime anti sportive ndaj Dinamos në stadiumin “Besëlidhja”. Me ato 6 pikë të fituara skuadra lezhjane ka qëndruar atë vit në grupin e më të mirëve të futbollit shqiptar, dhe që në atë kohë “Niko Dovana” konsiderohet si fushë fatsjellëse për lezhjanët. Për këtë arsye ata janë shumë të kënaqur me shansin e mirë që u jepet atyre për të luajtur këtë ndeshje të rëndësishme në këtë stadium dhe duket se tek futbollistët ka një ndikim pozitiv psikologjik. Megjithatë larg supersticiozitetit, lezhjanët fatin e kësaj ndeshje po përpiqen ta përgatisin për ta zgjidhur në favor të tyre me përgatitjet që po bëjnë për të përballuar blutë e Dinamos. 

Dje paradite, tekniku Kulli ka zhvilluar përgatitjet e fundit të javës me skuadrën, me të cilën ka improvizuar një test kontrolli. Me skuadrën është eksperimentuar rreshtimi me të cilin Kulli mendon të luajë përballë Dinamos. Me modulin e përdorur, Kulli edhe një herë ka evidentuar qartë idenë e tij për t’u dhënë përparësi veprimeve mbrojtëse gjatë lojës. Madje ai në këtë repart ka përfshirë edhe shtatlartin Alcani, teksa Lika ka avancuar në mesfushë. Sidoqofë rreshtimi i skuadrës me katër mbrojtës, tre mesfushorë dhe tre sulmues është dukur më rezultativ në veprimet mbrojtëse, por edhe veprimet sulmuese, ku skuadra i ka punuar mjaft mirë. Tashmë në skuadër tekniku Kulli, përveçse ka të gjithë futbollistët në dispozicion, do të ketë të gatshëm madje në formë të mirë edhe mbrojtesin Alcani e sulmuesin e ri e mjaft energjik, Jurgen Kulli. Që të dy në testin e djeshëm të paradites kanë dhënë sinjale mjaft të mira e premtuese në rolet që kanë luajtur.

Malota - Lezhjani Renato Malotaj, që tashmë luan me blutë e kryeqytetit, dje ka ndjekur me mjaft vëmendje e interes ndeshjen e kontrollit të lezhjanëve. Ai nuk ka dhënë asnjë prononcim për ndonjë rol specifik të ngarkuar, ndërsa për skuadrën dhe grupin ka shprehur konsiderata pozitive. Ndërsa për takimin mes tyre, Malota është shprehur se: “Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë për ne dhe për ish skuadrën time. Bëhet edhe më e vështirë për ne, pasi nesër do të luajmë për finalen e Kupës me Tiranën, një provë mjaft e rëndësishme për ne, në të cilën jam i bindur se do shpenzojmë shumë energji. Shpresoj që të mos i shpenzojmë të gjitha për të mbajtur rezerva edhe për ndeshjen që do të luajmë pas tre ditësh me Besëlidhjen”. Sidoqoftë, Malota shpreh dëshirën që të fitojë skuadra e tij, teksa Besëlidhjes i uron suksese të tjera.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top