Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Lezhjanët besojnë: Do të jemi në Superiore

Kur ka mbetur për t’u zhvilluar edhe ndeshja e fundit e sezonit futbollistik të Kategorisë së Parë, skuadra e Beslidhjes renditet në vendin e pestë në tabelën e klasifikimit, megjithatë diferenca me pikë me vendin e katërt, që mbahet nga Apolonia është vetëm tre dhe lezhjanët janë të favorizuar, duke qenë se kanë arritur të fitojnë në ndeshjen direkte të zhvilluar në Fier. Ndërkohë, lezhjanët këtë fundjavë do të luajnë në fushën  tyre ndaj Mamurrasit, në një sfidë, që në letër duket e lehtë për skuadrën, që prej dy javësh drejtohet nga Ridvan Kulli. Në një prononcim të dhënë “Sport Ekspres”, golashënuesi i skuadrës së Beslidhjes, Ermal Gega ka bërë një analizë të pozitave të skuadrës së tij dhe të kundërshtarëve dhe shanseve reale, që kanë lezhjanët për të qenë në vendin e katërt në klasifikim, që do të thotë dhe kalimi direkt në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm. “Jam i bindur se pas ndeshjes me Mamurrasin, Beslidhja do të jetë në vendin e katërt në renditje. Një gjë të tillë e them, pasi kundërshtarët tanë në garën për të njëjtin objektiv kanë sfida tejet të vështira dhe luajnë në transfertë ndaj skuadrave, që rrezikojnë mbijetesën dhe do të bëjnë të pamundurën për të fituar. 

Ndërsa në lidhje me sfidën, që ne do të luajëm ndaj Mamurrasit jemi të sigurtë se do të arrijmë fitoren. Luajmë në fushën tonë, ku jemi më të sigurtë dhe kemië përkrahjen e tifozerisë sonë, si dhe jemi të sigurtë se do të kemi një gjykim korrekt”, është shprehur Gega. Futbollisti lezhjan ka folur edhe për padrejtësitë, që sipas tij i janë bërë ekipit të tij gjatë këtij kampionati. “Gjatë fazës së dytë të kampionatit, Beslidhja ka qenë një nga ekipet, që ka nohur vetëm rritje, megjithëse në disa raste është penalizuar direkt dhe indirekt nga gjykimet. Më duhet të them, se kundërshtari ynë aktual për vendin e katërt në klasifikim, Apolonia ka arritur të fitojë shumë ndeshje me ndihmën e gjyqtarëve. Por, unë jam i bindur pas ndeshjes së fundit do të arrijmë vendin e katërt në klasifikim edhe pse është një gjë, e cila nuk varet drejtpërsëdrejti nga ne”, ka deklaruar autori i 14-të golave gjatë këtij sezoni me lezhjanët.

Plejauti – Në rastin më të keq, lezhjanët do të jenë të detyruar të zhvillojnë një ndeshje plejauti me një nga skuadrat e Kategorisë Superiore, për të siguruar një vend në elitë për sezonin e ardhshëm. “Nuk i trembemi një ndeshje shtesë, pavarësisht se do të luajmë me një skuadër, që është më lart se ne në kategori. Fakti, që kjo skuadër luan një ndeshje të tillë do të thotë se është në rënie, ndërsa ne jemi në rritje dhe normalisht jemi më të favorizuar për të arritur objektivin tonë”, ka përfunduar Gega.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top