Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Lezhjanët: Tomori ka veshur para kohe rrobat e festës

Takimi, që do të luajnë sot lezhjanët në Berat ndaj Tomorit vendas, i është shtuar edhe një tjetër fakt, që pritet t’ia vështirësojë edhe më shumë punën të besuarve të trajnerit, Ridvan Kulli. Mesazhi i ardhur prej andej, se beratasit do të luajnë për Apoloninë është lexuar qartë nga lezhjanët dhe para nisjes ata e kanë mbledhur mendjen për të dhënë gjithçka prej tyre, për të gjetur fitoren që u duhet, përballë një kundërshtari që duket se është para në kohë, por ka të ngjarë se do të jetë më virtual në fushën e lojës. Edhe para këtij mesazhi, lezhjanët nuk kanë besuar se do të gjejnë ndonjë ndihmë të madhe prej tyre, ndërsa kanë pritur nga beratasit, që kanë në përbërjen e tyre disa futbollistë, që dikur kanë luajtur për ngjyrat lezhjane, të mos jenë kaq të egërsuar nga dikush tjetër kundër tyre. 

Lezhjanët nëpërmjet drejtuesve të tyre kanë pohuar me kohë se kampionati ka hyrë në fazën më të keqe të tij, ku sheshit shiten, blihen e bëhen pazare me ndehsjet dhe askush nuk ndërhyn. Në këtë mënyrë është interpretuar edhe mesazhi beratas, të cilit lezhjanët duket se nuk i tremben aspak. Ata beseojnë shumë në faktin se Besëlidhja është skuadra më e mirë e fazës së dytë dhe kështu do të mbetet deri në përfundim të saj. “Ne jemi skuadër më e mirë se Tomori dhe në fushën e lojës do të dimë të triumfojmë ndaj tij, pasi ata, si ne para disa kohësh, e kanë shumë të vështirë të fitojnë edhe në fushën e tyre. Ndërsa skuadra jonë, ka dhënë prova se di të fitojë edhe në transferta, madje të vështira, ku në fazën e dytë ka koleksionuar disa pikë të tyre”, është shprehur mbrojtësi shtatlartë, Rajmond Shala i cili pretendon se e njeh mirë këtë skuadër. Megjithatë mbrojtësi lezhjan sa beson te skuadra e tij, aq i trembet pandershmërisë në futbollin e këtij fundkampionati, e sidomos në këtë ndeshje, që është vendimtare për dy skuadrat. Dhe mbi të gjitha gjykimit.

“Ne si skuadër jemi penalizuar disa herë nga gjykimet, por edhe skuadrat tjera këtë fat kanë patur. Këto janë bërë për t’u ardhur në ndihmë skuadrave të caktuara”, ka theksuar futbollisti. Për këtë arësye, Shala me insistim kërkon që mbarëvajtjes së kësaj ndeshjeje t’i kushtohet vëmendja e duhur. Madje ai kërkon, që kjo ndeshje të vlerësohet si një ndeshje në Superiore, në aspektin e monitorimit e masave për organizimin e saj. Duket se, këtë ai e kërkon edhe për faktin se, ka besim se skuadra me të cilën luan do të marrë suksesin, e natyrisht beratasit do të mbeten të pakënaqur e kush e di se si do të reagojnë. Ndërsa për shokët e skuadrës, Shala ka kërkuar që gjatë gjithë ndeshjes të ruajnë qetësinë e të jenë të përqëndruar në lojë për të gabuar sa më pak, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit, që duket se para kohe ka veshur rrobat e festës. Skuadra lezhjane që mbrëmë ka mbrritur në Berat dhe sot do të drejtohet nga trajneri Ridvan Kulli, i cili ka një eksperiencë që lezhjanët i besojnë shumë.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top