Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Në Lezhë, dëshira i bën të gjithë trajnerë

Sfida që ka përpara vetes Besëlidhja është me të vërtetë e vështirë, por mundësia për të luajtur në Superligë në sezonin e ardhshëm ka krijuar një entuziasëm me të vërtetë të madh në skuadrën lezhjane. Ekipi i renditur në vendin e pestë të Kategorisë së Parë do të duhet të sigurojë pjesëmarrjen në elitë duke zhytur në ferr një prej ekipeve legjendarë të historisë së futbollit shqiptar, por në Lezhë, një fakt të tillë duket se të gjithë e kanë harruar.  Në seancat stërvitore gjatë ditëve të fundit, është e zakonshme që të shikosh futbollistë që veçohen dhe diskutojnë midis tyre se cila do të ishte skema më e mirë që do të mund të përdorej në ndeshjen e sezonit. Një situatë e tillë duket se është toleruar edhe prej trajnerit Kulli, i cili është njeriu që do të vendosë në fund se cili do të luajë dhe cili jo.

Ndryshe nga futbollistët e tij, njeriu që në fund do të duhet të marrë vendimin se si do të luajë Besëlidhja në plejof, ennde nuk e ka të qartë se çfarë rreshtimi do të përdorë. Në një deklaratë të dhënë dje për “Sport Ekspres”, Kulli u shpreh: “Skuadra dhe futbollistët do të kenë detyra shumë të vështira, pasi do të ketë përballje një skuadër shumë të fortë, e cila ndryshe nga sa thuhet, në finalen e Kupës tregoi se zotëron një formë të mirë. Dinamoja ka lojtarë shumë cilësorë, që detyrën tonë e bëjnë shumë të vështirë. Ajo që mund të bëjmë ne në këtë moment është të punojmë për të kufizuar në maksimum rrezikshmërinë e futbollistëve kundërshtarë, por është e qartë që do të kemi nevojë edhe për shumë fat për të kaluar më tej”.

Ndonëse realist për faktin se Dinamo është favorite, Kulli i jep skuadrës së tij shanset e saj. “Është e rëndësishme që të mendojmë në mënyrë pozivite. Fakti që nuk jemi favoritë nuk do të thotë se do të humbim detyrimisht. Nëse nxjerrim ndeshjen e vitit, ashtu siç është normale të pritet për faktit e rëndësisë së takimit, atëherë Besëlidhja mund t’ia dalë mbanë”
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top