Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Një ish paralajmëron Dinamon: Beselidhja është në formë

Ka arritur të fitojë titullin kampion me skuadrën e Dinamos, duke shënuar edhe një gol deçiziv në ndeshjen finale, por tashmë do të jetë kundër saj, në një ndeshje tjetër deçisive, që vendos për të ardhmen e kampionëve në fuqi të Shqipërisë, për sezonin e ardhshëm futbollistik. Klodian Asllani, sulmuesi i njohur në vendin tonë, që aktualisht luan për skuadrën e Beslidhjes do të jetë pas një jave në ndeshjen e plejofit, që skuadra e tij do të luajë ndaj bluve, për të siguruar një vend në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm. Në një prononcim të dhënë dje për “Sport Ekspres”, Asllani është shprehur me nota optimiste në lidhje me këtë sfidë. “Dinamo vjen në këtë ndeshje me petkun e kampionit, ndërsa Beslidhja është sfiduesja. Unë kam qenë pjesë e Dinamos dhe jam shpallur kampion me atë skuadër, por mendoj se nuk është më e njëjta. Dinamo ka pasur probleme gjatë këtij kampionati dhe ato janë reflektuar edhe në renditjen e kësaj skuadre”, është shprehur Asllani. Nga ana tjetër, Beslidhja në Kategorinë e Parë, me mbështetjen e fuqishme financiare, të presidentit Gjok Noka, i cili gjatë merkatos së dimrit ka afruar një sërë futbollistesh në njohur në skuadër, ishte shumë pranë arritjes së vendit të katërt në tabelën e klasifikimit, që do të thoshte ngjitje direkt një kategori më lartë, por nuk e ka arritur dot atë. Tashmë, lezhjanët do të luajnë një ndeshje shtesë në përfundim të së cilës do të mësojnë nëse do të luajnë ne elitën e futbollit shqiptar sezonin e ardhshëm apo jo. “Është vetëm një 90’ minutësh brenda së cilit mund të ndodhë gjithçka. Edhe pse në letër Dinamo mund të jetë favorite, Beslidhja ndryshe nga ajo, ka një ecuri shumë të mirë në Kategorinë e Parë dhe këtë ecuri do ta tregojë edhe në këtë ndeshje, ku sinqerisht kemi shumë shance për ta fituar”, ka theksuar Asllani. Ky i fundit ka folur edhe rreth faktit nëse ka dëshirë të shënojë në këtë ndeshje, ndaj ish-skuadrës së tij. “E rëndësishme është të fitojë skuadra. Sigurisht, që dëshira për të shënuar ekziston, por nëse arrijmë që sezonin e ardhshëm të jemi në Superiore pak rëndësi ka nëse unë kam arritur të shënojë ose jo”, ka përfunduar sulmuesi i Beslidhjes.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top