Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Shala: Besëlidhja e ka hak ngjitjen në superligë

Mbrojtësi Rajmond Shala e meriton epitetin “specialist i ndeshjeve shtesë”, me Dinamon e ka të katërtën. Në fazën e dytë të sezonit Besëlidhja ka qenë skuadra që ka pasur vazhdimësinë më të mirë në kategorinë e parë. Por lezhjanët nuk ia dolën që ta fitonin direkt biletën për në superiore, kështu që po përgatiten për ndeshjen shtesë me Dinamon. Për drejtuesit e Besëlidhjes, si dhe pjesëtarët e ekipit, ndaj dinamovitëve synojnë fitoren, sepse kërkojnë konkretizimin e mundit dhe investimit të kryer gjatë sezonit. Dinamo për Besëlidhjen vlen sa një sezon i tërë, gjithsesi lezhjanët kërkojnë ta marrin me qetësi dhe të shfrytëzojnë mundësitë e tyre.

Takimi Dinamo-Besëlidhja do të luhet më 26 maj në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Trajneri Ridvan Kulli ka në dispozicion një grup me kualitete, që kanë lënë gjurmë në superligë, madje edhe ish-dinamovitë si dyshja sulmuese Asllani-Maho. Por Besëlidhja ka në radhët e saj një mbrojtës që fare mirë mund të konsiderohet “specialist i ndeshjeve shtesë”, Rajmond Shala. Shtatlarti fierak ndihet i familjarizuar me këto lloj ndeshjesh, pasi e ka përjetuar me Apoloninë, Lushnjën dhe Kastriotin dhe tani ka radhën si lojtar i Besëlidhjes. Për mbrojtësin Shala lezhjanët po përgatiten intensivisht për këtë sfidë me Dinamon dhe janë të vetëdijshëm se është një takim i vështirë. “Dinamo është një emër i madh i futbollit shqiptar dhe si të tillë e kemi vlerësuar, ndonëse do të jetë përballë Besëlidhjes për të siguruar mbijetesën në superligë. 

Dinamovitët kanë një grup, që e meritonte të ishte në zonën e trofeve, por fati ka bërë që ata të shkojnë në ndeshje shtesë. Pa dyshim do të jetë një ndeshje e bukur, me ritëm, pasi superliga është objektivi i të dy skuadrave. Besëlidhja e meritonte ngjitjen në superligë në mënyrë direkte, por kjo nuk u arrit, sepse nuk u luajt futboll i vërtetë nga të gjithë rivalët. Gjithsesi, ne po përgatitemi që ta finalizojmë me sukses sezonin nëpërmjet ndeshjes shtesë. Presidenti Noka ka investuar shumë në këtë edicion dhe me grupin që u krijua, Besëlidhja e meriton superligën. Ekipi gëzon formë të mirë dhe nuk ndihemi nën presion, pasi shanset tona nuk na i mohon njeri. Shpresoj që në këtë takim të luhet futboll i vërtetë, ku ne kërkojmë thjesht një gjykim korrekt dhe të paanshëm,”- u shpreh për “Sportin shqiptar” mbrojtësi i Besëlidhjes, Rajmond Shala. Fieraku ka rezultuar fitues në të gjitha ndeshjet shtesë, duke qenë në anën e skuadrave që aspironin ngjitjen nga kategoria e parë në superligë. 

“Shijen e fitores në ndeshje shtesë e kam shijuar me skuadrat që vinin nga kategoria e parë, pikërisht me Lushnjën dhe Kastriotin. Edhe këtë vit jam pjesë e një ekipi të kategorisë së parë, prandaj shpresoj që fati të më ndihmojë edhe si futbollist i Besëlidhjes. Në këtë grup nuk jam vetëm unë “specialist” i ndeshjeve shtesë, pasi ka edhe të tjerë. Këtu spikat Prela, që si lojtar i Kastriotit, me golin që shënoi e dërgoi Partizanin në kategorinë e parë. Nuk jam supersticioz, por shpresoj që kësaj radhe të dalë kjo profeci dhe të triumfoj edhe si pjesëtar i Besëlidhjes,”- përfundon mbrojtësi 28-vjeçar Rajmond Shala.
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top