Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Vazhdon ankthi për Besëlidhjen, e pret Dinamo

Takimi mes Besëlidhjes dhe Mamurrasit është zhvilluar në një ditë me mot të keq e terren të rënduar, si të ishte fillim vjeshte e jo fund pranvere. Megjithatë, vlerësimi dhe interesimi ka qenë maksimal nga të dy kampet e tifozeritë respektive, pasi lezhjanët kërkonin të bënin detyrën, por me veshë nga Puka, ndërsa mamurrsakët e kërkojnë fitoren te vetja, pa shikuar as para as prapa. Fillimi dhe përgjithësisht e gjithë ndeshja flet për vendasit, të cilët lëshohen tërësisht në sulm në kërkim të golit. Madje për shtatë minuta kanë ekzekutuar katër goditje këndi.

Miqtë nga Mamurrasi janë vendosur mirë në gjysmëfushën e tyre me synimin e vetëm të marrin një pikë në Lezhë, për të siguruar një ndeshje kualifikuese për superligë. Përveç veprimeve model mbrojtëse të zbatuara nga e tërë skuadra, në mënyrë të veçantë dallohej portieri Myrta, që shpesh bëhet shpëtimtari i portës së tij.

Por kur të pranishmit e shumtë prisnin golin e lezhjanve, janë futbollistët miq ata që në një kundërsulm të shpejtë e kapin në befasi dhe të vendosur keq mbrojtjen vendase. Në 38′ Dashi, pas një aksioni personal nga e djathta, shërben saktë për Ivanajn, i cili me qetësi e saktësi godet, duke i ndëshkuar bashkqytetarët e tij me një gol tepër “djegës”.

Duhet theksuar se ka qenë aksioni e goditja e vetme e mamurrsakve për pjesën e parë të kësaj ndeshje. Edhe pjesa e dytë fillon me një epërsi të thellë territoriale nga ana e vendasve. Madje në të 53′, Gega ka shpërdoruar rastin më ideal për ta barazuar rezultatin, kur ka gabuar në ekzekutimin e penalltisë të dhënë nga gjyqtari.

Topi i goditur fort nga golashënuesi më i mirë lezhjan është përplasur në traversën e Myrtës. Pas katër goditjeve nga këndi në dy minuta Besëlidhja arrin të barazojë falë asaj goditjeje te saktë me kokë nga qendërmbrojtësi shtatlartë Shala.

Ishte një barazim që i çon të dy ekipet në ndeshje kualifikuese me dy skuadra të superiores. Besëlidhja do të ndeshet me Dinamon dhe Mamurrasi me Shkumbinin.

Thanë pas ndeshjes
Ritvan Kulli, trajner i Besëlidhjes: “Ekipi luajti mjaft mirë, megjithëse në një terren tepër të rënduar. Madje them se asnjëherë nuk kemi luajtur më mirë në kushte të tilla. Humbëm shumë raste, ndërsa kundërshtari një herë erdhi tek porta jonë dhe shënoi. Ky është futbolli dhe si i tillë duhet pranuar, pasi është magjik dhe i paparashikueshëm.”

Sinan Bardhi, trajner i Mamurrasit: “Ishte ndeshja më e mirë që kemi zhvilluar në transfertë. E kishim vlerësuar maksimalisht, pasi rezultati pozitiv i saj na hapte rrugën për të synuar superligën. Morëm me mend dhe aftësi një pikë shumë të vlefshme.

Ishte një lojë e fortë dhe tepër korrekte nga të dy ekipet. Me këtë fitore Mamurrasi hyn në historinë e futbollit shqiptar, sepse shpresojmë te ngjitja në superligë. Suksese Besëlidhjes dhe Mamurrasit.”
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top