Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Xhika: Presioni te Dinamo, jo te Besëlidhja

Lezhjanët e trajnerit Ridvan Kulli pritet që sot të shpalosin gjithë kapacitetin tyre në ndeshjen shtesë me Dinamon, ku varet ngjitja ose jo në elitën e futbollit shqiptar. Ndaj dinamovitëve Besëlidhja do të kërkojë rikthimin në superiore, objektiv të cilin kërkonin ta merrnin direkt nga kategoria e parë. Për ditë me radhë, lezhjanët janë fokusur pikërisht tek ky takim i sotëm që do të luhet në Kavajë, pasi një fitore me Dinamon i jep jetë sezonit. Besëlidhja është grumbulluar që mbrëmë në Durrës, në mënyrë që ata të jenë sa më afër vendit të takimit.

Mësohet se presidenti Gjok Noka ka akorduar premio për ngjitjen e ekipit në superiore, por shuma preferohet të mos publikohet. Për portierin e Besëlidhjes, Dashamir Xhika, presioni është mbi dinamovitët e jo lezhjanët. Për ish-portierin e Partizanit, blutë e kryeqytetit duket se po shkojnë në gjurmët e “demave të kuq”, prandaj është rasti më i mirë që Besëlidhja ta shfrytëzojë momentin e keq që po kalon Dinamo. “Në fazën e dytë Besëlidhja ka qenë ekipi me arritjet më të mira në kategorinë e parë, prandaj biletën e superligës duhet ta kishim marrë më parë.

Gjithsesi, jemi përgatitur për ta kaluar me sukses ndeshjen shtesë me Dinamon. Në letër favoritë janë blutë, pasi vetë historia i bën të tillë. 90 minuta janë, kështu që çdo gjë është e mundur dhe ne e kemi marrë këtë takim me qetësi dhe shpresojmë ta konkretizojmë në fund. Dinamo, ashtu si Partizani, nga ku kam dalë si lojtar, është një emër që kërkon respekt. Skuadra të tilla duhen vlerësuar në çdo moment, pavarësisht pozitave që mbajnë. Normalisht, për këtë përballje presioni më i madh është mbi dinamovitët, pasi hija e Partizanit po u vjen rrotull. Të vjen keq kur shikon që emra që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar, po vuajnë.

Besëlidhjes i duhet të bëjë detyrën e saj, pasi ka investuar për të qenë në superligë. Dinamo ta kërkojë të keqen tek vetja, kështu që ne jemi përgatitur për ta kaluar me sukses sfidën me blutë e kryeqytetit,”- u shpreh për “Sportin shqiptar” portieri i lezhjanëve, Dashamir Xhika. Pas përfundimit të kampionatit, Besëlidhja zuri vendin e 5-të.
Burimi: Sporti Shqiptar
Back To Top