Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, si fillim 30 adoleshentë

Skuadra e Besëlidhjes ka filluar përgatitjet për sezonin e ri futbollistik dhe duket se ky moment është vlerësuar mjaft nga drejtuesit e klubit dhe sidomos presidenti Gjokë Noka. Në kushte shumë të mira, djemtë e ri, nën komandën e teknikut Ridvan Kulli, për më shumë se 90 minuta kanë zhvilluar stërvitjen e parë të sezonit dhe kanë kërkuar, që secili prej tyre të japë maksimumin. Futbollistët - Rreth 30 futbollistë kanë marrë pjesë në stërvitjen e parë dhe pjesa dërrmuese kanë qenë të rinj, të ardhur nga ekipet zinxhir të Besëlidhjes. Janë parë në përbërje të këtij grupi pothuajse të gjithë të rinjtë e sezonit të shkuar, të cilët kanë qenë zëvëndësues të titullarëve. Sidoqoftë, kjo pjesëmarrje është konsideruar nga drejtuesit e skuadrës, si një mundësi për të përzgjedhur elementë me perspektivë, që mund të garantojnë për të ardhmen.

Garda e vjetër - Nga titullarët e skuadrës së vjetshme, ashtu siç pritej, shumë pak futbollistë kanë qenë të pranishëm. Presidenti Noka ka pohuar edhe një herë, se ata janë refuzuar prej tij, për të qenë pjesë e skuadrës këtë sezon dhe sado që ata të tentojnë për të qenë pjesë e Besëlidhjes, nuk do të arrijnë. Ndërsa gardiani Xhika e mesfushri Gruda kanë qenë të vetmit e gardës së vjetër, por asnjëri prej tyre nuk është stërvitur. Megjithatë, Buraku, Shyti, Kulli e Danaj kanë qenë pjesë e grupit të ditës së parë stërvitore. Ndërsa serbi Stojkoviç pritet të vijë këto ditë. Por ai nuk do të vijë vetëm. Nga Serbia, së bashku më të pritet të vijnë edhe disa futboliistë tjerë.

Të tjerët - Veç tyre, në grup kanë rënë në sy disa futbollistë, që në fazën e dytë të kampionatit të kaluar janë larguar nga skuadra. Pjetrushi e Lini janë rikthyer sërish, ndërsa vëllezërit Haxhia kanë munguar. Ata kanë qenë pjesë e skuadrës lezhjane dhe tashmë vlerat e tyre njihen, pa patur shumë nevojë që ata të vihen në provë.

Presidenti - “Ne do të pranojmë për provë kushdo që të vijë”, ka thënë presidenti i skuadrës, Gjokë Noka. Duke iu përmbajtur idesë së formimit të një skuadre të re, pa emra të njohur, por me futbollistë të ri e punëtorë, Noka pohon se mirëpret çdo të ri, që ka dëshirë të kontribuojë për futbollin lezhjan. Ndërkaq, Noka ka shtuar, se sita do të jetë shumë e imët, për ata që do të mbahen. Komisioni që do të bëjë përzgjedhjen do të jetë profesionist, në krye të të cilit do të jetë tekniku Ridvan Kulli. Noka ka dhënë garanci, se prurjet do të jenë të shumta dhe kjo do t’i japë mundësi Kullit të formojë skuadrën që ai ka konceptuar.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top