Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja nis stërvitjen, konfirmohen vetëm Xhika e Stojkoviç

Një muaj pushim për futbollistët dhe reflektim për drejtuesit. Beslidhja e sezonit të ardhshëm do të nisë sot përgatitjet. Por, do të jetë një skuadër ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar. Janë konfirmuar vetëm pak lojtarë që do të qëndrojnë sërish te skuadra lezhjane për kampionatin e ardhshëm. Më konkretisht, deri tani presidenti Noka ka deklaruar se do të mbajë në ekip portierin Dashamir Xhika dhe mbrojtësin serb Stojkoviç. Këta të dy janë të konfirmuarit tashmë dhe sot do të paraqiten në stërvitje. Gjithashtu, pjesë e grupit pritet të jenë edhe futbollistë të rinj që sezonin e kaluar nuk kanë gjetur shumë hapësira në skuadër. Ndërkaq, janë të shumtë lojtarët e larguar si sulmuesit Rezeart Maho, Klodian Asllani dhe futbollistë të tjerë. Mësohet se lojtarëve të larguar nuk u është shlyer rroga e fundit, në një kohë që portieri dhe mbrojtësi serb i kanë marrë të gjitha pagesat.

Skuadra – Do të grumbullohet sot pasdite në Lezhë për të nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Fillimisht, skuadra do ti zhvillojë seancat stërvitore në stadiumin e Lezhës dhe më pas do të programohet faza përgatiore. Ende nuk është vendosur se ku do të zhvillohet kjo fazë. Presidenti i Beslidhjes, Noka deklaroi disa ditë më parë se shumica e futbollistëve që ishin pjesë e skuadrës një sezon më parë nuk do të jenë më. Duket se ekipi i kampionatit të ardhshëm do të mbështetet te elementët e rinj. “Nuk kishte ndonjë diferencë të madhe mes futbollistëve që blemë sezonin e kaluar me ata lezhjanë”, u shpreh presidenti Noka.

Xhika – “Ndihem mirë te kjo skuadër. Ishim shumë pranë realizimit të objektivit që ishte ngjitja në Superligë. Por, nuk ishim me fat pasi në takimin e fundit të plejauti-t patëm përballë një ekip të fortë si Dinamo. Unë do të vazhdoj të qëndroj edhe sezonin e ardhshëm me Beslidhjen. Presidenti është treguar shumë korrekt me mua duke më dhënë gjithashtu edhe premio shtesë sa herë që unë prisja 11-metërsha. Ishte një shtysë e madhe për mua që të bëja maksimumin në çdo ndeshje me Beslidhjen. Besoj se do të jemi pretendentë për tu ngjitur në Superligë edhe sezonin e ardhshëm. Kam bindjen se drejtuesit do të dinë të ndërtojnë një ekip të fortë dhe cilësor. Nesër(sot) do të nisim përgatitjet dhe angazhimi është maksimal”, shprehet portieri i Beslidhjes, Dashamir Xhika në prononcimin e tij.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top