Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Besëlidhja prezantohet në 27 qershor

Ideja e presidentit Noka për ta ripërtërirë skuadrën, jo vetëm me emra të rinj, por dhe me elementë të rinj në moshë është përkahur nga simpatizantët e futbollit lezhjan. Praktika e dy viteve të fundit, ku në skuadër janë sjellë më shumë futbollistë me emër të cilët nuk kanë justifikuar besimin e dhënë, nuk ka lënë një shije të mirë te lezhjanët, të cilët edhe për një tjetër sezon nuk do të jenë pjesë e skuadrave elitare në vend. Formimi i një skuadre të re nga ajo e vitit të kaluar duke trashëguar vetëm futbollistë të rinj, duket se do t’u lërë vend shumë prurjeve që do të vinë nga skuadra të tjera. Ndoshta po kërkohet të imitohet ajo çfarë laçjanët kanë bërë në këto sezonet e fundit, kur jo me shumë emra të njohur kanë arritur të jenë shumë të suksesshëm në kampionatin e Superiores. 

Presidenti lezhjan, Gjokë Noka duke qenë partizan i këtij mendimi, madje ideatori i kësaj mënyrë ndërtimi të skuadrës, beson se kjo do të jetë mënyra më e mirë për të siguruar një skuadër punëtore e protagoniste në Kategorinë e Parë. Kombinimi i elementit me eksperiencë që duket se nuk do të jenë të shumtë në numër në skuadrën lezhjane me të rinjtë do të jetë strategjia e formimit të skuadrës së re të cilën do ta drejtojë specialisti i njohur, Ridvan Kulli. Ndërsa kështu mendohet se do të formohet skuadra, deri tani presidenti 

Noka ka rikonfirmuar si pjesë të skuadrës vetëm disa të rinj lezhjanë të cilët në sezonin e kaluar janë paraqitur mjaft mirë edhe pse shumë ndeshje i kanë filluar nga stoli. Ndërkohë nga ana e presidentit, kanë filluar negociatat me menaxher për të garantuar futbollistë sipas kritereve që ai ka përcaktuar. Noka nuk është prononcuar për emra konkretë ndërsa ka pohuar se: “Përderisa nuk është konkluduar nuk ka pse ne të bëjmë publike planet tona. E rëndësishme është që ne kemi filluar nga puna për plotësimin e skuadrës dhe në kohën e duhur ju do të shikoni në fushë skuadrën, që aktualisht e kemi në letër”. 

Siç duket presidenti lezhjanë është i vendosur për të formuar skuadrën ashtu siç e ka menduar. Ndërkohë presidenti është i vetëdijshëm se riformimi i skuadrës do të kërkojë një punë të lodhshme dhe mjaft intensive pasi përgatitjet e saj mendohet të fillojnë në datën 27 qershor, dhe për këtë arsye pjesa dërrmuese e skuadrës duhet të jetë në fushën e stërvitjes. “Ne deri në atë ditë ose maksimumi pas një jave do ta kemi thuajse skuadrën e plotë. Do të lëmë për në fund tre katër vende bosh për të bërë zgjedhjet e duhura në mënyrë që të garantojmë pikat kyçe të skuadrës ose më saktë boshtin e skuadrës”, -ka përfunduar Noka.

Burimi: Sport Ekspres
Back To Top