Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Noka: Titullarët? Ata luajnë vetëm në faqet e gazetave

Këtë javë në Lezhë po e konsiderojnë si java e testimit të të rinjëve dhe në stërvitjen e skuadrës dominojnë pikërisht ata. “Kjo është java e të rinjëve, me të cilët po punon nga trajneri Kulli dhe ditën e hënë shumë prej tyre do të rikthehen në skuadrat e moshave. Do të mbahet vetëm elementi i perspektivës, por përzgjedhja ka si kriter potencën e tyre, për të gjetur më pas një vend në Besëlidhjen e sezonit që pritet të fillojë”, ka cilësuar presidenti i skuadrës, Gjokë Noka. Në fakt, që nga dita e parë e javës, numri i të ardhurve të rinj është shtuar së tepërmi dhe askush nuk është ndaluar të shfaqë një pjesë të performancës, për t’u bërë kandidat për të qenë pjesë e Besëlidhjes. Këtë, Noka dhe Kulli e kanë vlerësuar si një të drejtë e të rinjëve, prej nga ku mund të përzgjidhet ndonjë element, sidomos nga ai kontigjent që këtë vit ka përfunduar shkollën e mesme sportive.

Titullarët - Presidenti lezhjan duket se ka një merak të madh me “gjeneralët” e vjetshëm të tij. Bëhet fjalë për gardën e vjetër, që tashmë nuk është pjesë e skuadrës. Për shkak se me ta ai nuk mundi të arrijë atje ku deshi, ende mban inat ndaj tyre. “Të gjitha duhet ta dinë, se ata i kam larguar unë dhe asnjëherë sa të jem në krye të Besëlidjes, nuk do ta kenë shansin të jenë pjesë e saj”, është shprehur Noka. Madje me inat, shaka e ironi ai pohon: “Ato lloj futbollistësh unë as punëtorë fushe nuk do t’i mbaja. Këta janë lojtarë, që vetëm gazetat i shesin e blejnë, ndërsa sa vlejnë kanë treguar me kohë”.

Skuadra e vërtetë - “Futbollistët e skuadrës së projektuar nuk i kemi parë ende”, ka vijuar me krenari idenë e tij për formomin e skuadrës, presidenti Noka. Duket se dita e hënë do të jetë starti i ardhjes së tyre. Pasi të përfundojë seleksionimi i të rinjëve, faza e dytë e prurjeve do të sjellë futbollistët titullarë. Dhe ka të ngjarë, që ata të jenë të shumtë në numër. Drejtuesit e klubit lezhjanë edhe dje janë shprehur, se skuadra e re do të jetë shumë më e mirë se vitit shkuar. Natyrisht kjo kërkon disa futbollistë titullarë. Madje veç vendeve që do të mbulohen nga gardiani Xhika, mbrojtësi Stojkoviç e mesfushori Gruda, të cilët janë të vetmit e gardës së vjetër që janë mbajur, skuadra ka nevojë të plotësohet në rolet të tjera, me të njëjtin nivel si titullarët e mbetur. Sipas Nokës, një ndërmarrje e tillë ka filluar. Edhe pse nuk zbulohet asnjë emër nga ata që do të vinë nga merkato e verës, Noka garanton, se përzgjedhja këtë vit do të jetë shumë më profesionale e kolegjiale dhe në krye të saj do të jetë tekniku Ridvan Kulli, që do të ketë pjesën më të madhe të vendimarrjes, në përzgjedhjet që do të bëhen. Lëvizjet e tij nëpër qytetet fqinjë, këto ditë do të jene të dendura, në mënyrë që ditën e hënë të jetë në fushën e stërvitjes pjesa dërmuesë e skuadrës.
Burimi: Sport Ekspres
Back To Top