Mirësevini në faqen e Besëlidhjes. Për të bashkëpunuar me ne ose për informacion. Kontakt: info@ksbeselidhja.com

Besëlidhja, edhe të rinjtë nga “importi”

Ndërsa nga njëra anë po mendohet që të formohet një skuadër me moshë të re, llogaritë po bëhen, sesa elementi vendas do të jetë në gjendje të përballojë kërkesat, për të qenë pjesë e kësaj skuadre. Për këtë, në javën e parë të stërvitjes janë thirrur pothuajse të gjithë të rinjtë, madje janë pranuar për t’u provuar edhe disa prej atyre që kanë ngelur në klasë, pa hyrë në testim, pasi kanë disa vite që janë në duart e atyre që do të bëjnë edhe seleksionimin, vetëm e vetëm për të respektuar e zbatuar kriterin e vënë. Por pyetja se a do t’i përmbushë ky kontigjent kërkesat e skuadrës, që në fillim merr përgjigje negative. Kjo për faktin, se ata që luajnë vërtetë futboll janë të paktë dhe cilësia e tyre lë shumë për të dëshiruar. Pra të rinj e që po stërviten dhe që mund të jenë titullarë apo plotësues, me çfarë duket do të mbeten fare pak. Numri i tyre nuk i kalon ato të gishtave të dorës. 

Shyti, Buraku, Halili, Kulli nga skuadra e vjetshme e Pjetrushi e Lini të rikthyer pas afatit të huazimeve, nuk plotësojnë as numrin e duhur të një skuadre, që normalisht përbëhet nga zevendësues apo futbollistë të stolit. Ndërkohë edhe këta, këtë vit do të kenë pretendimet e tyre, për të qenë pjesë e titullarëve të skuadrës, teksa ende nuk dihen objektivat e skuadrës dhe sa ata do të çmohen se e realizojnë atë. Kështu që ka të ngjarë, që edhe ky kontigjent futbollistësh do të kërkojë diçka më shumë, nëse nuk vlerësohen si titullarë në Lezhë. Tratativat e tyre me skuadra të tjera nuk mungojnë. Pavarësisht se ata po presin t’u thuhet fjala e fundit nga presidenti Noka e tekniku Kulli, mësohet se kanë oferta, madje ndonjëri prej tyre edhe nga skuadra të Superligës. 

Përfundimisht, drejtuesve të futbollit lezhjan do t’u duhet që edhe të rinjtë t’i kërkojnë jashtë rrethit, një paradoks që vjen, pasi me ekipet e moshave ka kohë që punohet mjaft keq dhe ka vite që në skuadrën e parë nuk vijnë prej andej futbollistë të nivelit Bledar Kola, Leonard Perloshi, Salvador Kaçaj, Dritan Smajli, Henri Ndreka e të tjerë, që ekipet zinxhirë të Besëlidhjes dikur i kanë prodhuar me shumicë.

Merkato - Në të kundërt të kësaj, nga drejtuesit e futbollit lezhjan, lidhur me merkaton thuhet se gjithçka është detajuar. Janë përcaktuar madje edhe futbollistët nga do të vijnë dhe cilët janë konkretisht ata edhe pse nuk publikohen nga drejtuesit lezhjanë. Burime konfidenciale janë shprehur, se në objektivin e lezhjanëve janë një grup futbollistësh, që sezonin e kaluar kanë luajtur për Adën dhe Tërbunin. Prej tyre kërkohet të sigurohen disa futbollistë të repartit të sulmit, aty ku skuadra lezhjane ka shumë më tepër nevojë, pas largimit të Gegës, Mahos dhe Asllanit. 

Ndërkaq pritet me shumë interes, se çdo të sjellë me vete nga Serbia mbrojtësi serb i Besëlidhjes, Aleksandër Stojkoviç. Ai ka kohë që merret me gjetjen e ndonjë futbollisti për Besëlidhjen dhe aktualisht mësohet se, më së paku, deri tani ai ka konfirmuar ardhjen prej andej të dy futbollistëve cilësorë, që luajnë përkatësisht në rolin e mesfushorit të djathtë e të sulmuesit. Sidoqoftë, e sigurtë është, se presidenti Noka ka premtuar një skuadër shumë të fortë dhe lezhjanët, duke njohur tipin dhe karakterin e tij, besojnë se nuk do të zhgënjehen.

Burimi: Sport Ekspres
Back To Top